‘Kisha vendosur të mos luftoja, nuk u vizitova, nuk i tregova askujt’, gazetarja shqiptare rrëfen pse u dorëzua para kancerit të gjirit

Mediale Vip

‘Kisha vendosur të mos luftoja, nuk u vizitova, nuk i tregova askujt’, gazetarja shqiptare rrëfen pse u dorëzua para kancerit të gjirit

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 07:07
Rezarta Reçi

Një ndër zërat më të njohur mediatikë, frymëzim për shumë vajza e gra, një prej ikonave të radios e televizionit, do të bënte gjithçka për të luftuar për jetën dhe ngjyrat e saj… Do ta bënte në çdo rrethanë dhe për këdo. Por çuditërisht nuk e bëri për vete. Si fillim. Zgjodhi të heshtte, të mos tregonte e t’i nënshtrohej fatit “të paracaktuar”.

Në këtë muaj rozë, që i dedikohet luftës kundër kancerit të gjirit, gazetarja Rezarta Reçi ishte e ftuar në “Rudina” për të rrëfyer historinë e saj të trishtë. Rrugës për t’ia dalë e për të triumfuar, Rezarta tregoi se tashmë vijon jetën e saj aktive, bën gjithçka ka dëshirë e mundësi, krejt normalisht, si edhe u dërgon një mesazh të gjitha grave e vajzave nga ekrani: të mos heqin kurrë dorë nga jeta. Edhe pse ajo vetë mori një vendim tjetër për veten...

“U dorëzova, vendosa të mos luftoja”

Në ligjëratë të drejtë. Ky ishte vendimi absurd që Rezarta Reçi mori për veten pasi konstatoi se ishte e prekur nga kanceri i gjirit. Ajo që njihte aq shumë histori të dhimbshme të grave me të cilat kishte pasur kontakt gjatë punës së saj, mori një vendim egoist – të priste fatalen.

Arsyeja e këtij vendimi ishte pikërisht ajo mori historish me të cilat kishte pasur kontakt për vite me radhë në gazetari. Rezarta mendonte se nëse do diagnostikohej me këtë sëmundje, nuk do luftonte dhe do ia linte fatit në dorë, sepse i dukej një gjë e lodhshme dhe e mundimshme.

“Kur e konstatova, e mbajta për vete time dhe kam punuar deri në fund të marsit në radio. Unë e konstatova, e dija dhe pa doktor që po vuaja dhe më kishte përfshirë kanceri i gjirit. Vura re depërtimin, ndryshimin e gjirit dhe me koshiencë e kisha lënë vetë.

E vetmja gjë që më tradhtoi ishte një kollë, e cila nuk po më ndahej dhe po më pengonte komunikimin në radio. Ajo u bë shkak për një kontroll të laringut. Kjo për shkak të kujdesit të të tjerëve për mua, ndërsa unë realisht e dija dhe prisja, në një farë mënyre, të ndodhte fatalja. Unë me veten time kisha vendosur të mos luftoja”.

Por ishin familjarët, miqtë dhe të gjithë dashamirësit që e mbushën me dashurinë e tyre dhe i kërkuan të luftonte. Bashkëshorti, i pari që e vuri përballë arsyes dhe përgjegjësisë: “I kemi premtuar njëri-tjetrit në të mirë e në të keq. Do të jemi bashkë” – i tha ai mes të tjerave, por njëkohësisht edhe i kërkoi të mos merrte një vendim egoist që nuk i sillte dëm vetëm Rezartës, por edhe njerëzve të tjerë të dashur të saj.

Pas këtij momenti, tregon më tej Rezarta, jeta mori një rrjedhë tjetër dhe ajo vendosi të luftojë jo vetëm për veten: “U kthva në një ushtar të bindur…” – tregon ajo me buzëqeshje duke u kërkuar në këtë muaj sensibilizimi të gjitha vajzave dhe grave ta duan më shumë veten dhe jetën:

“Ta duan veten, ta duan edhe jetën, të duan energjinë që rrezatojnë, të duan misionin për të cilin ne kemi ardhur në jetë, për të transmetuar jetë. Të mos i dorëzohemi frikës, errësirës, plogështisë, panikut, përkundrazi, të jetojmë aktivisht, me dashuri për hir të dashurisë. Qoftë edhe një segment i vogël jete, ia vlen të jetohet bukur intensivisht, meqenëse vetë jeta është e papërsëritshme dhe nuk na jepet më”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat