Sophie, artiste largpamëse

Mediale Vip

Sophie, artiste largpamëse

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 07:18
Sophie

Sophie, pop këngëtarja dhe producentja e nominuar për çmimin “Grammy”, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare pas një aksidenti të papritur në Athinë. Artistja e lindur në Glasgow ka pasur rastin të bashkëpunojë me artistë, si Madonna dhe Charli XCX. Në një deklaratë nga ekipi menaxhues i artistes, është thënë që ajo ka vdekur të shtunën rreth orës 4 të mëngjesit, në kryeqytetin grek ku ishte duke jetuar. “Sophie ishte krijuese e një tingulli të ri dhe një nga artistet më me ndikim të dekadës së fundit”, ka thënë ekipi. Më tutje në deklaratë studioja muzikore e Sophiet ka shpjeguar se si ka ndodhur “aksidenti i tmerrshëm”.

“Duke i qëndruar besnike spiritualitetit të saj, ajo është ngjitur ta shikojë hënën e plotë, ka rrëshqitur dhe është rrëzuar”, kanë thënë në një postim online. “Ajo do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. Familja i falënderon të gjithë për dashurinë dhe mbështetjen, dhe kërkojnë privatësi në këto kohë të vështira”.

Sophie ishte e njohur edhe si një ikonë transgjinore, pasi e kishte konfirmuar identitetin në vitin 2017, në një video për, “Është në rregull të qash”. Menaxhmenti i artistes tanimë të ndjerë ka thënë se ajo do të mbahet mend “jo vetëm për prodhimet gjeniale dhe kreativitetin, por edhe për mesazhin dhe dukshmërinë që kishte arritur. Një ikonë e çlirimit”.

Artiste largpamëse

Prodhimet inovative të Sophiet merrnin copëza nga muzika pop dhe zhanret e tjera muzikore. I përziente me valë të deformuara dhe çorientuese, që të krijonin tinguj që njiheshin menjëherë dhe ishin shumë të kërkuar. Madonna kishte kërkuar bashkëpunim me Sophien, që të bashkëkrijonin këngën “Bitch, I am Moddona” në vitin 2015, përderisa Charli XCX kishte punuar me muzikanten në muzikat e saj gërryese, avangardë EP, Vroom Vroom dhe këngën shumë të njohur “After the Afterparty”.

Albumi debutues i Sophies, “Oil of Every Pearl’s Un-Insides”, i ndjekur në vitin 2018, nga eksplorimi i pyetjeve për identitetin, moskonformitetin dhe rishpikjen, e në të njëjtën kohë ajo vazhdonte ta zgjeronte tingullin dallues të saj me këngë më të gjata dhe më eksploruese.

“Tejkalimin e kufijve të muzikës pop dhe ndjekjen e përsosmërisë, Sophie ia ka dalë t’i bëjë diçka të rrallë, që ta bëjë muzikën abstrakte, muzikën e vështirë elektronike të na godasë drejt e në zemër”, ka thënë NME-ja në një vlerësim prej katër yjesh. Albumi i saj më pas ishte nominuar për çmimin “Grammy” si albumi më i mirë “dance/elektronik”.

E paharrueshme

Pop artistja franceze, Héloïse Letissier, e njohur ndryshe si “Christine and the Queens”, ka udhëhequr përkujtimin për yllin, emri i plotë i së cilës ishte Sophie Xeon. Në një postim në “Twitter”, Letissieri e ka përshkruar Sophien si një “producente të përkryer”, “largpamëse” dhe “vizionare”. “Ajo u rebelua kundër shoqërisë normative e mendjengushtë, duke u bërë një artiste dhe një grua shumë e suksesshme”, ka shtuar ajo.

Këngëtarja japoneze që jeton në Londër, Rina Sawayama, i ka plotësuar ato ndjenja, duke e quajtur Sophien “një ikonë”. “Bota dhe komuniteti ynë kanë humbur një shpirt shumë të bukur”, ka thënë ajo në një cicërimë.

Kitaristi Nile Rodgers ka thënë që ajo ishte një person “inovativ”, “dinamik” dhe i “ngrohtë”. “Lajm zemërthyes”, ka shtuar këngëtari Sam Smith.

“Bota jonë ka humbur një engjëll. Një vizionare dhe një ikonë të vërtetë të gjeneratës sonë. Drita jote do të vazhdojë t’i inspirojë gjeneratat e së ardhmes”. Pasi mori çmimin si inovatore në çmimet nga Asociacioni i Pavarur i Muzikës (AIM) në vitin 2018, ajo e përdori platformën e dhënë për t’i promovuar të drejtat e personave transgjinorë.

“Që me të vërtetë ta meritosh këtë çmim, duhet jo vetëm ta ndryshosh tingullin e muzikës së sotme, por edhe të kontribuosh në copëtimin e një shoqërie me të meta të mëdha e thellësisht patriarkale”, kishte thënë producentja derisa po e pranonte çmimin.

“Krijimi i një të ardhme më ndryshe, inspiruese dhe kuptimplotë për ne dhe gjeneratat, jetët e të cilëve do t’i ndikojnë dhe ndryshojnë vendimet tona”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat