Provizionet në Maqedoni më të larta se borxhi

Maqedonia

Provizionet në Maqedoni më të larta se borxhi

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 09:14
Ilustrim

Bllokimi i llogarive bankare përkundër faktit se është paguar tatimi në pronë, dërgimi i vendimeve për pagesën e tatimit edhe personave të vdekur apo pronarëve të vjetër të banesave, përcaktimi paushall i tatimit në pronë përmes përdorimit të metodologjisë kontestuese për vlerësimin e pronës, janë disa nga problemet e adresuara të qytetarëve që kërkojnë zgjidhje, shkruan gazeta Koha. Ata ankohen edhe për provizionet e larta të bankave, si dhe mospërmbushjen shpesh të obligimit ligjor, që obligon institucionet financiare t’u lënë qytetarëve dy të tretat e të ardhurave në bazë të pagës apo pensionit, për shkak se në të kundërtën rrezikohet ekzistenca e tyre.

Metodologjia e përcaktimit të vlerës së tregut të pronës së patundshme duhet të thjeshtësohet , ndërsa fokusi të vendoset në lokacionin e pronës së patundshme. Të vendoset edhe tavani i shumës për të gjitha provizionet bankare lidhur me pagesën e dhunshme të tatimeve, për shkak se lartësia e provizioneve shpesh tejkalon edhe shumën e borxhit të tatimit në pronë.

Këto janë vetëm një pjesë e problemeve të administrimit të tatimit në pronë në qytetin e Shkupit, që kërkojnë ndryshime të ligjeve për procedurë tatimore, të tatimeve në pronë dhe qarkullimin pagesor dhe metodologjisë për vlerësimin e pronës.

Këto masa do të zvogëlojnë ankesat e qytetarëve dhe do të përmirësojnë pagesën e tatimit në pronë që nuk është në nivel të kënaqshëm , tregon analiza “Ndaj një sistem më të drejtë dhe më efikas të tatimeve në pronë”, e realizuar me mbështetje të Bashkimit Evropian.

Sipas Aleksandar Nikollov, drejtor i shoqatës “Zenit” që ka marrë pjesë në përgatitjen e analizës, në radhë të parë nevojitet të ndryshohet qasja ndaj vlerësimit të pronës , me qëllim që në mënyrë reale të përcaktohet vlera e saj. Një gjë e tillë do të ulen edhe ankesat e qytetarëve se në mënyrë joreale ju tregohet vlera e pronës.

“Njëherësh, metodologjia për vlerësimin e patundshmërive është mjaft e ndërlikuar, dhe më së shpeshti kompetentët as nuk dalin në teren që të bëjnë vlerësimin,edhe pse një gjë e tillë kërkohet sipas dispozitave ligjore. Megjithatë edhe komunave ju mungojnë resurse për një gjë të tillë , që të mbulojnë të gjitha pronat. Andaj nevojitet thjeshtësimi i saj dhe krijimi i mundësive për komunat të kenë qasje në teren përmes vlerësimit masovik në bashkëpunim me kadastrën”, shpjegon Nikollov një nga mënyrat se si mund të zgjidhet ky problem.

Sipas tij, për realizimin e rekomandimeve që theksohen në analizë, çdo herë problem janë financat. Nikollov shpreson se në këtë drejtim, Ministria e Financave do të ndajë një pjesë të mjeteve evropiane, në vlerë prej 40 milion euro të Programit për menaxhimin me financat publike .Në këtë mënyrë , komunat do të ndihmohen të përmirësojnë situatën, të bëjnë regjistrim të pronës , dhe të azhurnojnë regjistrin e adresave me qëllim të rritjes së përqindjes së tatimeve në suaza afatgjate.

Edhe pse rekomandimet kanë të bëjnë me qytetin e Shkupit, megjithatë ato mund të zbatohen edhe në komunat e tjera, ndërsa ato që kanë të bëjnë me kornizën juridike kanë relavancë edhe në nivel nacional.

Analiza gjithashtu sugjeron që vendimet për pagesën e tatimit të përmbajnë më shumë informacione të detajuara me një gjuhë të thjeshtë të kuptueshme për qytetarët. Ato duhet të dinë se kanë të drejtë ankesë në rast se ligji nuk zbatohet si duhet, ndërsa lartësia e shkallëve të tatimit vjetor në pronë dhe tatimit në qarkullim të pronës duhet të theksohet në vend të dalluar në veb faqet e komunave dhe qytetit të Shkupit.

Njëherësh para se të mendohet për rritjen e shkallëve të tatimit në pronë, nevojitet të rritet përqindja e pagesës dhe përfshirja e pronës që i nënshtrohet tatimit. Gjithashtu ndryshimet eventuale të shkallëve tatimore duhet të bazohen në debat të gjerë dhe konsultim me të gjitha palët e prekura.

Rekomandohet të lirohen nga pagesa e tatimit të pronës, personat që pranojnë ndihmë sociale, personat e vjetër dhe të pamundur, si dhe personat me nevoja të veçanta. Kërkohet edhe vendosja e obligimit të pagesës së tatimit për patundshmëritë edhe atje ku pronarë janë shteti dhe komunat. Vlerësimi i pronës të mos bëhet paushall, por në terren, edhe përmes përfshirjes së vlerësuesve të pavarur, sidomos gjatë rasteve të ankesës dhe rivlerësimit të pronës si praktikë evropiane. Ndalesa e mjeteve nga pagat dhe pensionet , me vendimin për pagesë të dhunshme të realizohet përmes Fondit për sigurim pensional, dhe jo përmes bankave ose në bashkëpunim me fondin , me qëllim që të respektohet obligimi ligjor të ndalohen më së shumti një e treta e të ardhurave personale dhe të ardhurave në bazë të sigurimit social. Të vendoset edhe procedurë ankese për tatimit në komune, dhe të kthehet organi i shkallës së dytë për ankesa pranë Ministrisë së financave. Shtetet e BE-së kanë të drejta ankese në së paku dy instanca, para se të kërkojnë mbrojtje gjyqësore.

Ndryshe, analiza që ju është kumtuar edhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Qytetit të Shkupit dhe komunave të tjera, paraqet aktivitetin përfundimtar të projektit “ Si ndaj shërbimeve më cilësore dhe më të kapshme për qytetarët – monitorimi i administratës tatimore në qytetin e Shkupit” , që realizohet në bashkëpunim me Institutin për politikë evropiane dhe rrjetin Veber të 22 organizatave joqeveritare të Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat