Në fillim të majit riformatohet Qeveria

Maqedonia

Në fillim të majit riformatohet Qeveria

Më: 23 prill 2018 Në ora: 16:47
Qeveria

Më 3 maj pritet të bëhet zgjerimi i shumicës parlamentare, ku Lëvizja BESA e drejtuar nga Afrim Gashi pritet të jetë pjesë e saj.

Kështu thonë për Televizionin Shenja, burimet partiake që bëjnë pjesë në bisedime. Sipas burimeve të njëjta në këtë ditë pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të negociatave që po vijojnë mes partive politike.

Riformatimi i Qeverisë dhe zgjerimi i shumicës parlamentare, ishte paralajmëruar kohë më parë nga vetë kryeministri Zaev, i cili dëshiron shumicë sa më të konsoliduar në Kuvend, në pritje të vendimeve të rëndësishme për vendin, siç është integrimi i vendit në NATO dhe hapërimi në integrimet për në BE.

Zaev që në fillim pati deklaruar se primare për të, është inkuadrimi i BESËS në Qeveri. Gatishmëri për këtë kanë shprehur edhe nga partia e udhëhequr nga Afrim Gashi, të cilët shprehen të gatshëm të ndihmojnë në vendimmarrjen për çështjet që janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë.

Sipas burimeve të Televizionit Shenja, negociatat janë në përfundim e sipër dhe ata pritet të finalizohen në fillim të muajit maj.

Paraprakisht Zaev pati deklaruar se do të bisedohet me të gjitha partitë me përjashtim vetëm të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq sa i takon ndarjes së resoreve dhe zgjedhjet kadrovike, Zaev pati thënë se do të varen nga bisedimet me partitë. Nga lëvizja BESA kanë deklaruar se për ta nuk është me rëndësi çështja e pozicioneve por programi qeveritar dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohej bashkëqeverisja. Së fundmi koalicionit Qeverisës i është bashkuar edhe Partia Demokratike Turke. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat