Partitë shqiptare të njëzëshme në kërkesat para mandatarit të Qeverisë së re të Maqedonisë

Maqedonia

Partitë shqiptare të njëzëshme në kërkesat para mandatarit të Qeverisë së re të Maqedonisë

Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 16:29
Ali Ahmeti

Dokumenti që nënshkruan dje në Tiranë, në takimin te kryeministri Edi Rama, liderët e partive shqiptare të Maqedonisë - BDI, Besa, LR-PDSH dhe RDK, i sublimon nevojat e popullatës shqiptare në Maqedoni, deklaroi sot lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Ky dokument, sipas Ahmetit, nuk është vijë e kuqe as madje përmbajtja e tij kushtëzohet për bisedime për formim të Qeverisë së re të Maqedonisë. Këto, tha ai, janë parime themelore dhe nevoja reale të shqiptarëve në Maqedoni. Negociatat për qeveri të re nuk kanë filluar, sipas Ahmetit, ndërsa kjo do të ndodhë kur do të besohet mandati nga ana e presidentit të shtetit. Dokumenti do të publikohet dhe për të do të bisedohet pas publikimit të mandatit, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së thotë se kërkesat kryesore që do t'i përmbajë dokumenti dalin nga programet e partive për zgjedhjet e vitit 2016, ndërsa u dedikohen barazisë gjuhësore dhe ekonomike, reformave në gjyqësi, zbardhjes së disa proceseve gjyqësore, anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO, si dhe vazhdimit të punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Pret që takimet e liderëve të partive parlamentare shqiptare të vazhdojnë edhe në Shkup dhe në to të inkuadrohet edhe PDSH-ja, për shkak se këto kanë qenë edhe kërkesa të tyre.

Lideri i BDI-së në vërejtjet se pozicioni i partive shqiptare në Maqedoni po përpilohet në Tiranë, tha se as Shqipëria, as Kosova nuk janë ato që e përgatisin politikën e shqiptarëve në Maqedoni, ne kemi qëllime tona dhe programe, por ndihma e secilit është e mirëseardhur, madje edhe e faktorit ndërkombëtar.

Nuk u përgjigj se nëse Maqedonia nuk do të fitojë qeveri dhe do të shkohet në zgjedhje të reja në qoftë se nuk pranohen kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

Takimin me gazetarët Ahmeti e mbajti para fillimit të seancës konstitutive të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat