Brukseli me masa të reja për Maqedoninë

Maqedonia

Brukseli me masa të reja për Maqedoninë

Më: 26 prill 2016 Në ora: 15:34

Brukseli nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reja ndaj Maqedonisë pas dështimit të Marrëveshjes politike dhe mospërmbushjes së reformave urgjente prioritare.

Madje, situata në vend sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian Maja Kocijançiq vazhdon të përbëjë shqetësim të madh për Brukselin.

Unioni, i cili ka mbetur pa opsione për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës, në dorë ka vetëm vendosjen e sanksioneve ndaj vendit, raporton Alsat-M.

“Situata mbetet ende shumë shqetësuese për ne. Ne mbetemi në dispozicion, por siç e përsëritëm disa herë tashmë përgjegjësia për zgjidhjen e krizës politike në vend është në duart e liderëve politik. Ne nënvizuam shqetësimet tona dhe gjithashtu në deklaratën e një jave më parë theksuam se jemi të detyruar të konsiderojmë veprime të mëtejshme me qëllim që të plotësohen kërkesat e parashtruara nga Këshilli, Komisioni dhe Parlamenti. Megjithatë siç thash më herët unë nuk do të spekulojë rreth tyre”, tha Kocijançiq.

Përveç masave të reja ndaj vendit, gjithnjë e më të zëshme bëhen kërcënimet e Brukselit për pezullimin e rekomandimit për çeljen e negociatave me Maqedoninë si dhe futjen në listën e zezë të Shengenit të politikanëve të pushtetit.

Komisioneri evropian Johanes Han, pak kohë më parë theksoi se nëse vendi organizon zgjedhje jo të besueshme, qeveria e re nuk do të njihet ndërkombëtarisht. Ndërkaq, për të vlerësuar klimën politike dhe atë parazgjedhore në Shkup qëndron edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vlerësimi i tyre do të shpaloset pas përfundimit të takimeve me kryetarin e Parlamentit, ministrin e brendshëm, partitë politike, Komisionin Shtetëror Zgjedhor, si dhe me Prokurorinë Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat