Tetovë, të rinjtë në masë të madhe praktikojnë ritet fetare

Maqedonia

Tetovë, të rinjtë në masë të madhe praktikojnë ritet fetare

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 00:36

E drejta për t’i u lutur Zotit gjithsecili në mënyrën e vet, apo e drejta e besimit fetar është e garantuar me ligje vendore dhe ndërkombëtare.

Tetova njihet si vend ku përqindja më e madhe e popullatës i takojnë komunitetit musliman. Ndonëse në të kaluarën xhamitë kanë qenë të mbushura me më të moshuar, viteve të fundit ky trend ka ndryshuar sepse edhe të rinjtë janë gjithnjë e më prezentë nëpër objektet fetare, veçmas në ditë të veçanta si e premtja apo në ditë festash fetare si Bajrami.

Rreth konceptit të të rinjëve me relegjionin, Portalb anketoi disa besimtarë të moshës se re. Njëri prej tyre është dhe Ahmed Jusufi, i cili thotë se populli Shqiptrar është popull i njohur për shumë virtyte të mira gjë që ka pasur ndikim shumë të madhë në përqafimin e fesë.

“Veçoritë me të cilat njiheshim kanë filluar të zbehen. Këtë e lidh me aspektin relegjioz, sepse të rinjtë të mirat po i zëvendësojnë me amoralitet, gënjeshtra, vjedhje, vrasje…, që nuk lidhen fare me kulturën tonë kombëtare e fetare. Këto dukuri janë fotografia më e mirë që tregon gjendjen tonë dhe atë se sa të afërt jemi me relegjionin e jo me fjalët” , tha Jusufi.

Opinion pothuajse të ngjashëm lidhur me religjionin ka edhe Suat Idrizi, i cili flet për një sërë gjërash që mendon se e kanë larguar rininë nga feja.

“Rinia është larguar nga feja. Unë besoj se feja është njëri ndër faktorët kryesor për zhdukjen dukurive negative. Rinia ka nevojë për ligjërata të kapshme dhe për mësime të mirëfillta fetare. Rinisë duhet folur me gjuhën që ata e kuptojnë e jo vetëm sa për t’iu thënë diçka. Xhamitë janë institucione që mund ta ndryshojnë këtë gjendje, ku duhet të ligjërohet logjikshëm, butësisht, pa asnjë fyerje”, thotë Idrizi.

Alban Abduli, ndërkaq thotë: “Qenësore është të përmendet fakti që besimi është çështje krejt personale. Nëse i përkasim një religjioni, duhet pranuar atë tërësisht dhe pa përjashtime. Po të mundohemi ta studiojmë raportin e të rinjëve tetovarë me Islamin, shumë lehtë do të vërejmë tendencën për të interpretuar normat fetare dhe për të justifikuar veprimet në praktikë, fenomen që për mua nuk reflekton çiltërsinë e besimit”!

Teologu Musa Musai që është dhe ligjërues në Universitetin e Tetovës: “Nëse ju rrëfehemi hulumtimeve të bëra për sa i përket relegjiozitetit dhe rinisë atëherë vërejmë një përqindje të madhe të atyre që veten e konsiderojnë relegjiozë. Para 20 apo 30 vitesh, nëpër vendbanimet tona mbajtja e kapelave të bardha fetare ka qenë shumë më e theksuar, mirëpo kjo nuk do të thotë se ato kanë pasur ndonjë raport shumë të veçantë me relegjiozitetin, me frekuentimin në xhami apo objektet fetare. Sot nuk ka simbole të jashtme që vërehen mirëpo kemi një numër shumë të madh të të rinjëve që janë të kyçur direkt në fe”.

I pyetur në lidhje me atë se çka mendon për të rinjtë që informacionet i mbështesin në atë që kanë dëgjuar apo shikuar në televizor, Musa Musai thotë: “Sa i përket lexueshmërisë ne jemi pak prapa, e kemi të vështirë të ndërtojmë një traditë leximi. Dëgjimi i emisioneve ose i predikimive fetare askënd nuk e bën ekspert. Unë do të thoja kështu, nëse mjekësia kërkon mos të dëmtohet shëndeti, atëherë edhe besimi ose feja kërkon ekspertizën që mos të dëmtohet shpirti i njeriut, ose ndjenjat e tij, apo bota emocionale…”

Qëndrimet e mësipërme janë janë pak a shumë qendrimet e pjesës më të madhe të të rinjëve tanë lidhur me besimin fetar, i cili në Tetovë dhe rrethinë ka traditë të gjatë dhe të shëndoshë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat