Ahmeti insiston që zgjedhjet të mbahen më 24 prill

Maqedonia

Ahmeti insiston që zgjedhjet të mbahen më 24 prill

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:57

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti përsëriti qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill. Ai madje ironizoi kërkesën e opozitës për shtyrje të mundshme të zgjedhjeve për sjellje si të fëmijëve të lazdruar. Megjithatë sipas Ahmetit për një datë të re “katërshja” në negociata duhet të ulen sërish në tryezë për të arritur marrëveshje.

“Do ketë zgjedhje me 24 prill, nuk do të ketë zgjedhje në 24 prill. Nuk do të ketë zgjedhje sepse kërkon opozita! 24 prilli është datë që është negociuar, biseduar, debatuar, tre ditë radhazi në prezencë të komunitetit ndërkombëtar, zotit Han, ambasadorëve të SHBA dhe BE, përfaqësuesit special të bashkimit evropian, katër partive politike parlamentare në vend dhe të gjithë jemi dakordua.Për të bërë ndryshim, sërish duhet të ulen po ato forca politike që kanë legjitimitetin dhe legalitetin për të ndryshuar atë që e kanë vulosur me 15 korrik se përndryshe do bëhemi si fëmijë të çerdhes së lazdruar, kujt si ti kujtohet, hyn e dil Isuf Qamil”, deklaroi Ali Ahmeti, BDI.

Sipas Ahmetit, zgjedhjet duhet të mbahen në prill pasi Maqedonia përballet me sfida të tjera sikurse kriza me refugjatët nga Lindja e Mesme, por edhe për shkak të Samiteve në verë të BE-së dhe NATO-s.

“Në qershor është samiti i Bashkimit Evropian ku bëhet bilanci dhe e dimë që e kemi të kushtëzuar raportin e progresit. Në korrik është samiti i NATO-s. Ka paralajmërime që do të ketë valë të refugjatëve nga lindja e mesme. Ne nuk duam zgjedhje pa standarde. Një për një të plotësohen standardet. Ne duam zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët. Duam zgjedhje të pakontestueshme nga asnjë vëzhgues, qoftë vendor apo ndërkombëtar”, theksoi Ali Ahmeti, BDI.
Maqedonia është në pritje të vlerësimit të faktorit ndërkombëtar, ambasadës së BE-së dhe SHBA-ve, të cilat deri më 20 shkurt do ta jep fjalën përfundimtare, nëse ka ose jo kushte që vendi të fillojë procesin zgjedhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat