Maqedonia drejt zgjedhjeve, çka fituan shqiptarët me marrëveshjen e Përzhinës?

Maqedonia

Maqedonia drejt zgjedhjeve, çka fituan shqiptarët me marrëveshjen e Përzhinës?

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 15:08

BDI dhe PDSH si pjesë e tryezës së bisedimeve të Marrëveshjes së Përzhinës nuk po japin detaje rreth kësaj marrëveshje apo edhe propozimeve të tyre për tu përfshirë në të. Ligji për Media është çështja e fundit e hapur e kësaj marrëveshje, që është një nga kushtet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Dy partitë shqiptare kanë dy kërkesa si pjesë e reformës në media e kjo ka të bëjë me servisin publik RTVM. Kërkesa e tyre është që të emitohet program 24 orësh në gjuhën shqipe si dhe të ndryshohet emri i servisit publik nga Radio televizioni Maqedonas në Radiotelevizioni i Maqedonisë.

Këto kërkesa janë konfirmuar edhe nga ndërmjetësi evropian Piter Van Hojte, i cili theksoi ditë më parë se këto kërkesa janë bërë nga partitë shqiptare, por vështirë të jenë në rend dite.

Edhe gjatë negociatave për pakon zgjedhore partitë shqiptare dolën me kërkesat që nënkryetari dhe sekretari i përgjithshëm i KSHZ të jetë shqiptar. Deputeti dhe anëtari i grupit të punës të BDI-së, Artan Grubi kishte deklaruar se sekretari i përgjithshëm i KSHZ do të jetë shqiptar.

“Nëse kryetari i KSHZ-së të jetë maqedonas, kjo pozitë patjetër t’i takojë komunitetit shqiptar, me ç’rast të dy palët e përkrahën njëra tjetrën dhe u hap goxha debat në takimin në Klubin e deputetëve në lidhje me këtë çështje dhe jam absolutisht i bindur që sekretari i përgjithshëm i KSHZ-së do të jetë shqiptar”, tha Artan Grubi, nga BDI.

Përveç kësaj, një garancë tjetër ishte se nuk do të ketë mbivotim të anëtarëve shqiptarë në KSHZ për çështje etnike dhe se për këto tema do të votohet me koncensus. Por votimi për sekretarin e përgjithshëm të KSHZ-së e dëshmoi të kundërtën, ku ndodhi mbivotimi. Anëtari i këtij komisioni, Subhi Jakupi në bisedë me TV21 theksoi se do të jetë shumë rëndë që të vlerësohet se cilat çështje janë të aspektit etnik, sepse sipas tij, vota është e drejtë qytetare.

Edhe ligji i votuar për Qeverinë, që ishte pjesë e marrëveshjes së Përzhinës, i siguroi të drejtën e vetos zëvendësministrave nga radhët e VMRO-DPMNE dhe LSDM në ministritë e caktuara. Kuadrot e këtyre dy partive kanë të drejtën ekskluzive në cilësinë e zëvendësministrave që të vendosin veto ndaj vendimeve të ministrave nga cilado parti, por kjo e drejtë nuk i takon zëvendësministrave të tjerë. Para disa ditëve edhe vet kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi pranoi se në Përzhinë nuk është folur për asnjë çështje shqiptare.

“Asgjë që ka të bëjë me shqiptarët, marrëdhëniet ndëretnike, keqpërdorimin e buxhetit dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, nuk është përmendur në kuadër të dialogut të bisedimeve”, deklaroi Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH.

Por nga ana tjetër kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti theksoi se këto bisedime nuk kanë qenë siç tha bisedime shqiptaro – maqedone, por bisedime mes katër partive politike.

“Këto bisedime nuk kanë qenë bisedime midis shqiptarëve dhe maqedonasve, këto bisedime kanë qenë midis katër partive politike për tejkalimin e krizës politike”, shtoi Kryetari i BDI-së Ahmeti.

Dilema më e madhe pas këtyre bisedimeve mbetet se a do mbahen zgjedhjet më 24 prill apo jo ? LSDM insiston që data e zgjedhjeve të shtyhet, për shkak se nga kjo parti konsiderojnë që nuk ka kohë të mjaftueshme që të pastrohet lista zgjedhore, kurse edhe pse kanë pasur ankesa të shumta për proceset zgjedhore viteve të fundit, partitë shqiptare mbeten në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen me 24 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat