Komuna e Sarajit premton zgjidhjen e transportit për nxënësit e Rahoviqit

Maqedonia

Komuna e Sarajit premton zgjidhjen e transportit për nxënësit e Rahoviqit

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 23:36

Komuna e Sarajit shprehet e gatshme për të zgjidhur problemin e kamotshëm me transportin e nxënësve të fshatit Rahoviq të cilët mësimin e vazhdojnë në shkollat e mesme të Shkupit. Kështu të paktën premtoi kryetari i komunës Bekim Murati i cili madje tha se ky problem do të zgjidhet menjëherë të premten.

“Unë jam i gatshëm që nga dita e nesërme të bisedoj me prindërit dhe nxënësit dhe që nga dita e nesërme ne si komunë t’ua mbulojmë harxhimet rrugore nga vendbanimi i tyre Raoviq deri në rrugën kryesore që lidh vendbanimet e komunës së Sarajit, respektivisht deri në vendbanimin ku graviton transporti publik”, u shpreh Bekim Murati, kryetar i komunës Saraj.

Pavarësisht premtimit, Murati megjithatë për këtë problematikë fajësoi Qytetin e Shkupit dhe Ndërmarrjen e Transportit Publik.

“Arsyetimi i tyre është se bëhet fjalë për vend rënd të depërtueshëm dhe është rrezik që të lëviz ndonjë mjet transportues më i madh se makina. Kërkesat e komunës kanë qenë të përhershme dhe ne kemi dorëzuar ndoshta 10 kërkesa që të sigurohet transport publik edhe për ato nxënës por edhe për ata banorë të vendbanimit Raoviq. Fatkeqësisht deri në këto momente nuk kemi gjet mirëkuptim nga ana e ndërmarrjes publike”, tha Bekim Murati, kryetar i Komunës Saraj.

Nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për transport publik ishin të pakapshëm për të sqaruar shkakun e mungesës së transportit për këtë vendbanim. Ekipi ynë shoqëroi një ditë më parë nxënësit të cilët fatkeqësisht janë të detyruar që për çdo ditë të udhëtojnë rreth 7 kilometra në këmbë për të arritur në stacionin e parë të autobusit prej ku më pas vazhdojnë rrugën drejt shkollave të mesme ku mësojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat