Ostreni: Isha dhe do të jem mik me Ali Ahmetin

Maqedonia

Ostreni: Isha dhe do të jem mik me Ali Ahmetin

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 09:59

Në emisionin “360 shkallë”, që transmetohet në “Alsat-M”, lideri i partisë së porsaformuar “Uniteti”, Gzim Ostreni ka shpalosur qëndrimet e subjektit që drejton pas largimit nga partia amë, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Me çfarë platforme dhe ambicie është partia e re? Si janë raportet Ahmeti- Ostreni për momentin? A kanë bazë zërat se Ostreni e formon “Unitetin” në marrëveshje me Ahmetin? Çfarë mendon Ostreni për parimin se fituesi në palën maqedonase dhe ai në palën shqiptare e formojnë qeverinë ?, ishin pyetjet që morën përgjigjen e tij.

Duke folur për fushatën zgjedhore, Osdreni akuzoi partitë e deritanishme për korrupsion politik duke blerë vota me paratë, siç tha ai, të grumbulluara nga populli.

Në intervistën e parë televizive, pas formimit të subjektit politik, Osdreni ripërsëriti qëndrimin se nuk e ka problem të takohet me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, tani në rolin e dy homologëve politik.

“Marrëdhëniet e mia me Ali Ahmetin kanë qenë dhe janë të afërta. Kemi qenë miq, dhe jemi miq, tha mes tjerash Osdreni.

Por, Osdreni u shpreh se nuk pajtohet me qëndrimin e këtij të fundit, kur tha se krijimi i partive të tjera fragmentizon votën shqiptare, duke thënë se ai bashkë me mendimtarët rreth tij, nuk pajtohet me këtë qëndrim, por pa dhënë ndonjë arsye të qëndrueshme.

Ai kundërshtoi pohimet se Unitetin u krijua në koordinim me BDI-në me qëllim që të mbledh të pakënaqurit e këtij subjekti, duke shtuar se as ai as Ali Ahmeti nuk janë aq njerëz të pasktrupullt.

Osdreni tha se në Unitet kanë vend gjeneratat e reja dhe pa hipoteka, por siç tha, dyert e hapura janë edhe për anëtarët e BDI-së përskaj faktin se “Uniteti”, nuk u krijua për të marrë anëtarësinë e partisë tjetër.

Duke folur për programin politik të “Unitetit”, Osdreni në rend të parë përmendi luftën kundër korrupsionit, barazim të buxhetit mes komuniteteve, qeverisjen lokale, e tjerë. Sa i përket qeverisje lokale, Osdreni përmendi modelin e Shqipërisë ku komunat funksionojnë në suaza të Bashkive, apo siç ishte në Ish Jugosllavi ndarja në rrethe. Ai tha se vazhdon konsolidimi i radhëve të partisë si dhe legalitetin e subjektit me regjistrimin zyrtar.

Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, sipas Osdrenit, duhet të funksionon ndryshe, duke propozuar që përqindja e etniteteve të bartet në çdo institucion shtetëror, dhe jo të fokusohet në “oborrin” e këtij sekretariati.

Punësimet, tha ai, duhet të kryhen nëpër institucione dhe jo në sekretariat ku është krijuar një numër i madh i të punësuarve që sot nuk shkojnë në punë.

Sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare jashtë parlamentare, Osdreni tha se bashkëpunim duhet të ketë por jo para zgjedhjeve, sepse, anëtarët atëherë nuk do të dinin se ku të shkojnë, në Besa, RDK, apo Unitet. “Do të humbte kuptimi, tha Osdreni.

Ambiciet e Unitetit, sipas tij, janë reale dhe nuk pretendohet ndonjë fitore spektakulare. “Reprezentacioni i Shqipërisë hyri për të fituar, por ndodh çka ndodhi. Edhe ne hyjmë në zgjedhje për të fituar një numër solid të deputetëve, për të pas mundësi të artikulojmë interesat e votuesve”, tha Osdreni.

Në pyetjen se çfarë mendon Ostreni për parimin se fituesi në palën maqedonase dhe ai në palën shqiptare e formojnë qeverinë, ai dha përgjigje negative, duke shtuar se ky parim nuk u tregua i suksesshëm, dhe jo me çdo kusht dy parti politike, në këtë rast partia politike shqiptare dhe maqedonase, duhet të vazhdojnë bashkëqeverisje.

Duke komentuar të kaluarën e tij si oficer i JNA-së, ai bëri krahasim me Skënder Beun i cili ishte ushtar i Turqisë dhe arriti ta thyen ushtrinë turke.

Thënia simbolike e tij ishte: “Për të prishur një shtëpi nevojiten vetëm disa “argat”, ndërkaq për të ndërtuar një të re, mbi themele të reja, nevojiten inxhinier, njerëz profesionistë”, duke lënë të kuptohet se subjekti i ri që e krijoi së fundmi do të ketë në radhët e veta njerëz profesionist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat