Sot në Gjevgjeli zbarkuan 4000 refugjatë

Maqedonia

Sot në Gjevgjeli zbarkuan 4000 refugjatë

Më: 4 shtator 2015 Në ora: 17:58

Përkundër rasteve tragjike të refugjatëve dhe trafikimit që ju bëhet atyre në vende të ndryshme, përsëri numri i tyre që vijnë për në BE sa vjen e rritet.

Në çdo 5 minuta policia e Maqedonisë lëshon 50 deri në 100 refugjatë. Jozyrtarisht mësohet se në anën greke për momentin presin rreth 4 mijë persona.

“Jemi shumë të lodhur, kemi vuajtur, është shumë rëndë”, deklaroi një refugjate nga Siria.

“Po shkoj në Serbi, për në Evropë, për të jetuar një jetë më të mirë”, theksoi një refugjat nga Iraku.

“Në Maqedoni nuk kishim vështirësi. Në Greqi prita 7 ditë. Po udhëtoj tashmë 2 javë. Nuk e di nëse do të na lëshojnë në Hungari, por do të provojmë”, refugjat nga Siria

"Dua të jetojë. Do të shkoj në Gjermani pasi vendi është i mirë dhe njerëzit atje i duan sirianët. Në Hungari do të jetë vështirë por nuk është e pamundur të kalojmë”,tha një refugjat nga Siria.

“Kemi pasur një udhëtim të rëndë, prej në fillim deri më tani. Kemi filluar udhëtimin me anije, mezi kemi ardhur.

Tani këtu policia vetëm po na drejton për diku, na thotë rrini këtu rrini aty dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Na kanë ndodhur shumë aksidente. Në anije ka shumë rrezik. Shumë njerëz na kanë nënçmuar pasi jemi nga Siria, por neve nuk duam asgjë përveç se një jetë të re. Kemi pritur 2 ditë për të kapur anije, kemi bërë gjumë në rrugë”, theksoi një refugjat tjetër nga Siria.

Pas alarmimeve të shumta të aktivistëve dhe mediave se disa tregtarë të vegjël po mashtrojnë refugjatët me çmime jo reale për transport e ushqim, janë shënuar tabela informative në disa gjuhë me çmimet e biletave për tren, taksi e autobus. Refugjatët për transport paguajnë prej 10 deri në 100 euro. Të dhënat e policisë deri më tani thonë se të enjten në Maqedoni kanë kaluar rreth 2 mijë refugjatë, por të dhënat nga terreni thonë se ky numër realisht është dyfishuar pasi shumica e emigrantëve nuk regjistrohen fare nën presionin e kapjes së trenit. Numri i përgjithshëm i refugjatëve të regjistruar që kanë transituar Maqedoninë është afro 60 mijë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat