Qeveria, mbledhje emergjente për përmbytjet

Maqedonia

Qeveria, mbledhje emergjente për përmbytjet

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 00:46

Deri para mesnatës, në Spitalin e Tetovës mbërritën mbi pesë persona të lënduar nga Shipkovica. Njëri prej tyre me lëndime të rënda u dërgua në spitalin e Shkupit. Siç raportojnë mediat lokale nga vendi i ngjarjes, në Shipkovicë ujërat kanë marrë me vetë shtëpi, vetura, kafshë. Banorët e këtij fshati ende nuk mund ta konfirmojnë nëse ka të zhdukur. Më të goditura janë disa lagje të qytetit, fshati Reçicë si dhe rajoni i Malësisë së Tetovës.

Uji ka përmbytur katet e para të shtëpive ndërsa me vete ka bartur edhe gurë, drunj dhe sende të tjera të forta që kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen. Qytetarë kërkojnë përmes mediave që institucionet kompetente të ndihmojnë në pastrimin e rrugëve dhe çlirimin e banorëve të rrethuar nga vërshimet.

Qeveria e Maqedonisë ka caktuar një mbledhje urgjente gjatë ditës së sotme në orën 12:00 ku do të diskutohet situata e shkaktuar në Tetovë dhe do të formohen grupe që do të vlerësojnë dëmet dhe do t’i ndihmojë qytetarët, mëson “Zhurnal” nga burime brenda qeverisë.

Situata alarmante në Tetovë ka bërë që mjekët të apelojnë me qëllim që qytetarët të mos pinë ujë nga çezmat, “për të parandaluar ndonjë epidemi të sistemit digjestiv, e cila mund të jetë me pasoja katastrofale për popullatën, për shkak të përzierjes së ujit të pijshëm me atë të kanalizimeve”, thuhet në apelin e mjekëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat