Greuvski vazhdon të ‘mbjellë’ luana, shqipet mungojnë

Maqedonia

Greuvski vazhdon të ‘mbjellë’ luana, shqipet mungojnë

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 19:38

Nikolla Gruevski po vazhdon të mbjellë për cdo ditë Luana e statuja tjera në Qytetin e Shkupit.

Sot para selisë së VMRO-DPMNE është vendosur përmendorja gjigante e “Luanit”, simbol ky i partisë së kryeministrit Nikolla Gruevskit.

Ndërkaq, përmendoret e personaliteteve shqiptare Agollit, Bagerit dhe Bogdanit askund nuk duken.

Madje edhe shtatorja e Skendërbeut mbi kalë duket se ka humbur nga hija e përmendoreve gjigante të Fillipit II-të e Aleksandrit të Madh, raporton INA.

Që nga viti 2011 shqiptarët i presin këto përmedore të cilat partia shqiptare në pushtet nuk arriti ta realizojë asnjëherë ngritjen e tyre.

Madje zyrtarë të BDI-së, nganjëherë ngazëlloheshin dhe bënin selfije gabimisht me figura dhe përmendore të veprimtarëve maqedonas si Metodija Shatorov – Sharlo, duke menduar se janë monumente të shqiptarëve.

Nga BDI-ja heshtin dhe nuk komentojnë pengesat e mundshme që kanë bllokuar procedurën e vendosjes së përmendoreve shqiptare.

Nga ana tjetër Kreu i Komunës Qendër Andrej Zhernovski është shprehur disa herë se Komuna nuk do të pengojë ngritjen e 3 përmendoreve, por ato do të vendosen në momentin që do të jenë gati.

Procesi i vendosjes së përmendoreve të tilla pritej të përfundonte para disa viteve.

Përmendoret e Agollit, Bagerit dhe Bogdanit përveç vonesës së jashtëzakonshme, dallohen nga përmendoret maqedonase edhe për cilësinë.

Këtë e tregon edhe çmimi për punimin e tyre, që sillet mes 45 deri 50 mijë euro për ato shqiptare, ndërkohë që aq para shpenzoheshin vetëm për bazamentet e përmendoreve maqedonase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat