Vrasjet e funksionarëve të BDI-së, analistët: Distancimi i partisë është qesharak

Maqedonia

Vrasjet e funksionarëve të BDI-së, analistët: Distancimi i partisë është qesharak

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 20:51

Ngjarjet e fundit me vrasjen e dy funksionarëve partiakë e në veçanti distancimi nga ato nga ana e BDI-së, janë qesharake. Kështu komentojnë për Alsat, analistët Sefer Tahiri dhe Suad Misini. Sipas tyre kjo është mënyra më e keqe që një strukturë politike duhet zgjedhur në raste të tilla. Tahiri dhe Misini konsiderojnë se përgjegjësia për rastet e fundit i takon kreut të kësaj partie si dhe strukturave udhëheqëse në nivel qendror dhe lokal.

“Distancimi nga kuadrot e saj dhe nga njerëzit e afërt të saj mendoj se është strategjia më e keqe e mundshme nga aspekti i komunikimit politik sepse në fund të fundit kjo kohë për vet BDI-në për vet kryetarin e saj dhe kryesin e partisë është kohë kur duhet të reflektoj dhe të kërkoj përgjegjësi brenda strukturave të partisë. Çështja e përgjegjësisë politike dhe morale në rastin konkret mendoj se u takon njerëzve të cilët janë përgjegjës për aspektin e organizmit strukturor të partisë në nivel qendror dhe lokal dhe normalisht se i takon edhe vet kreut të kësaj partie që nuk duhej të lejoj që situata të arrij deri në këtë pikë sa që të ketë edhe vrasje për motive politike kur dihet se jeta e një njeriu është më e shtrenjtë se cila do politik qoftë”, deklaroi Sefer Tahiri, analist.
Misini nga ana tjetër thekson se kjo nuk do të ndodhte nëse partia nuk shndërrohej në një strukturë klasike mafioze e cila i zgjidh problemet vetëm në këtë mënyrë. Sipas tij kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“BDI-ja ka përgjegjësi morale dhe politike për gjithë këtë që po ndodh, dhe fakti që kjo parti distancohet nga këto ngjarje, është qesharak. Ky është një çlegjitimim total politik dhe parodi politike që BDI-ja e demonstron në këtë moment. Përndryshe, përgjegjësia qëndron te struktura udhëheqëse dhe struktura siç e quajmë mafioze, pasi ajo i ka uzurpuar institucionet të cilat sipas kushtetutës, kanë për detyrë hetimin e ngjarje të tilla”, tha Suad Misini, analist.
Ngjarjet e fundit, sipas analistëve do të reflektohen negativisht tek strukturat dhe anëtarësia e BDI-së. Misini madje parashikon edhe rrënimin e BDI-së.

“Mendoj se kjo do të reflektohet negativisht tek strukturat e saj, te anëtarësia dhe simpatizuesit e saj dhe në njëfarë mënyre koston do ta paguaj kjo parti por në anën tjetër mendoj se do të jetë një mësim shumë i mirë për BDI-në që në të ardhmen situatat t’i menaxhoj me një mençuri më të madhe dhe me një pjekuri më të madhe politike sepse në situata delikate duhet të gjenden zgjidhje më të plota dhe të qëndrueshme e jo zgjidhje siç ishte rasti i Kumanovës”, u shpreh Sefer Tahiri, analist.
“BDI do të relativizohet në aspektin politik. Unë më herët e kam deklaruar se, në të ardhmen kjo parti do të rrënohet dhe në këtë moment ajo në aspektin politik është relative, ka legjitimitet kontestues, dhe nuk ka kurrfarë baze politike dhe etike”, theksoi Suad Misini, analist.
Tahiri dhe Misini theksojnë se partia e Ahmetit po kalon një fazë të vështirë dhe se kriza brenda partiake nuk mund të menaxhohet vetëm duke kërkuar përgjegjësi te organet e shtetit, pasi ajo është vet pjesë e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat