Taseva-Musa: Ikja e Milenkov, akt i paprecedentë

Maqedonia

Taseva-Musa: Ikja e Milenkov, akt i paprecedentë

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 16:23

Vendimi i kryetarit të Komisionit Anti-Korrupsion Goran Milenkov, që të braktiste foltoren, në vend që t’i jepte llogari gazetarëve, është i paprecedentë. Këtë qëndrim ndajnë ish kryetarja e këtij komisioni Sllagjana Taseva dhe ish anëtari Arif Musa. Sipas tyre, sipas përkufizimit por edhe sipas ligjit, Komisioni jo vetëm që nuk duhet t’i shmanget mediave, por duhet të jetë i hapur në maksimum me to.

“T’u shmanget pa u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të akuzohen gazetarët se flasin për perceptime, pra të mohohen të gjitha raportet që deri tani kanë shkruar organizatat ndërkombëtare se vetëm në mënyrë deklarative punohet në luftën kundër korrupsionit, më së paku është qasje joserioze. Kjo tregon se këta anëtarë të rinj të komisionit për luftë kundër korrupsionit, nuk janë në nivelin e duhur të luajnë rolin kanë marrë. Ata nuk munden në kuptimin e vërtetë të fjalës, ta konsiderojnë veten si luftues të korrupsionit”, u shpreh Sllagjana Taseva, Ish kryetare e Komisionit Anti Korrupsion.

Reagimet e Musës dhe Tasevës vijnë pasi kryetari i ri i Komisionit Goran Milenkov, një ditë më parë braktisi foltoren, pasi u shënjestrua nga gazetarët me pyetje për një sërë temash. Ai i quajti si perceptime raportet e ndërkombëtarëve, të cilat kanë qasje kritike për punën e komisionit që ai drejton, ndërsa pastaj, tha se nuk ka asnjë koment rreth “bombave” sepse sipas tij, aktualisht është në vijim procedura gjyqësore. Milenkov përsëriti të njëjtin qëndrim kur gazetarët i kujtuan se ai ka autoritetin, dhe duhet të ishte ai të inicionte proces, që kur dolën zërat e parë në opinion mbi përgjimet. Kur u pyet edhe për ndërtesën e re të VMRO-së, Milenkov braktisi konferencën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat