BDI nuk është përjashtuar nga negociatat, Zaev dhe Gruevski shqyrtojnë dallimet mes veti

Maqedonia

BDI nuk është përjashtuar nga negociatat, Zaev dhe Gruevski shqyrtojnë dallimet mes veti

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 13:14

Kriza politike në Maqedoni po shkon drejt zgjidhjes. Partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH janë marrë vesh që kërkesat e tyre të përmbushen. Kështu mëson jozyrtarisht Agjencia e lajmeve Zhurnal.

Sipas po të njëjtit burim kërkesat e partive shqiptare njëzërit janë mbështetur nga liderët maqedonas dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të udhëhequr nga Evrokomesari Johanes Han.

Tani kriza politike duhet të zgjidhet mes palës maqedonase edhe atë ndërmjet Zaevit dhe Gruevskit. Lideri i opozitës maqedonase Zaev kërkon dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe kontroll të plotë ndaj disa ministrive kyçe.

Mirëpo, Gruevski shumë herë ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje dhe se do të zbaton marrëveshjen e 2 qershorit të nënshkruar me garanci të Evrokomesarit për zgjerim Johanes Han.

Dallimet e mëdha mes liderëve politik maqedonas nuk prekin partitë shqiptare, andaj BDI dhe PDSH nuk ka nevojë që të merr pjesë në takimet e liderëve maqedonas të cilët duhet të detajizojnë kulaçin qeveritar, gjegjësisht ndarjen e pushtetit.

Nga 8 pikat e Marrëveshjes së 2 qershorit, partitë shqiptare janë dakorduar dhe kanë marrë dritë jeshile nga liderët maqedonas që të implementohet në tërësi Marrëveshja e Ohrit, të ruhen marrëdhëniet e mira ndëretnike, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore me Kosovën dhe Maqedonia të vazhdojë procesin integrues në BE dhe NATO, me çka vendi do të rikthehej në agjendën prioritare të integrimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat