"Bomba 34", Gruevski i përfshirë në afera korruptive

Maqedonia

"Bomba 34", Gruevski i përfshirë në afera korruptive

Më: 27 maj 2015 Në ora: 19:53

Partia opozitare LSDM publikoi të mërkurën materialet e tjera të përgjimeve apo të ashtuquajturën “bombën” e 34-t, përmes së cilës dëgjohet zëri i kryeministrit Nikola Gruevski dhe funksionarëve të tjerë qeveritarë, të përfshirë në skandale korruptive dhe kriminale.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se në njërën prej bisedave të përgjuara, Gruevski ka shpëtuar nga dënimi një kompani nga Negotina, pavarësisht se ajo është kapur me 5,5 tonë naftë të kuqe ilegale, vetëm se biznesmeni në fjalë ka ndihmuar VMRO-në. Në këtë çështje është përfshirë edhe ministri i sapoemëruar i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov dhe drejtori i sapoemëruar për Sigurinë Publike, Goranço Savevski.

Në “bombën” e lëshuar para qeverisë, lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka lëshuar një bisedë për të cilën tha se është mes kryeministrit Gruevski dhe drejtorit të ELEM-it, Vllatko Çingovski. Ata dëgjohen duke biseduar për një biznes me një kompani në pronësi të përzier çeke-bullgare-maqedonase. Përmenden edhe shifra 350, 600, mirëpo pa u precizuar nëse bëhet fjalë për mijëra, ose për miliona, thuhet në agjencinë e lajmeve maqedonase, INA.

Zaev publikoi edhe një bisedë mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ish-ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, të cilët bisedojnë se si të zhdukin nga arkivi i MPB-së ankesën e një drejtori në Agjencinë për Fluturime Civile ndaj sjelljes së bashkëshortes së Presidentit Gjorge Ivanov, e cila po ashtu është e punësuar në këtë drejtori.

Në një tjetër përgjim, Gruevski interesohet për një firmë bullgare-çeke-maqedonase që ka bë biznese milionëshe dhe ka fituar tenderin përmes një “linje”. Bëhet fjalë për shuma të mëdha parash dhe bashkëbiseduesi i tregon Gruevski se s’dinë si ti ndajnë paratë. Në bisedë me Janakievskin, Gruevski porozit të prishen objektet e Teatrit për qëllime të veta. Janakievski thotë që nuk mund të prishen aq lehtë ,Gruevski e urdhëron: nëse nuk është problem politik, do të rrëzojmë. Gruevski urdhëron Janakievskin që të ndërtohet si e si.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat