Hulumtim: Zonat e lira ekonomike – të fshehura në mister

Maqedonia

Hulumtim: Zonat e lira ekonomike – të fshehura në mister

Më: 25 maj 2015 Në ora: 13:08

Duke u përpjekur për të tërhequr sa më shumë investime të huaja, Qeveria jo vetëm që u ofron atyre lirime doganore dhe tatimore, por u ofron edhe ndihmë të drejtpërdrejtë shtetërore duke subvencionuar harxhimet për pagat e punonjësve. Por, asnjë institucion nuk zbulon saktësisht se sa njerëz janë të punësuar në fabrikat që janë pjesë e zonave të lira ekonomike dhe sa është shuma e lehtësirave të cilat pronarët e huaj të fabrikave i kanë marrë nga shteti konkretisht për punësimet?

Të dhënat janë duke u mbajtur sekret, e pikërisht një nga prizmat nëpër të cilat mund të shihen efektet e ndihmës shtetërore që kompanitë e huaja e marrin në zonat e lira ekonomike është numri i vendeve të hapura të punës, pastaj cilësia e vendeve të punës (niveli i pagave, orari i punës, siguria në vendin e punës, etj.), si dhe sa këto investime të huaja kanë kontribuar për krijimin e vendeve indirekte të punës në nivel lokal krahas vendeve të punës të krijuara në mënyrë të drejtpërdrejt.

Pothuajse asnjë institucion apo organizatë e cila monitoron efektet e investimeve të huaja në vend nuk ka numrin e saktë të të punësuarve të cilët në mënyra të ndryshme janë të angazhuar në katër zonat e lira ekonomike në vend.

Të dhënat i kemi kërkuar nga Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike. Por, nuk kemi marrë asnjë përgjigje prej atje. Numrin e të punësuarve në zonat e lira ekonomike, si dhe shumën e lirimeve të marra për punësimet, nuk e dinë as në Këshillin e Investitorëve të Huaj.

Një përgjigje për të njëjtën temë nuk kanë marrë as analistët nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian (QMAE), të cilët kanë hulumtuar efektet e zonave të lira ekonomike në vend ndaj ekonomisë së përgjithshme.

“Për analizën në të cilën kemi punuar, kemi kërkuar një informacion me karakter publik në Agjencinë për Investime të Huaja, të cilët na kanë dërguar në Drejtorinë për Zhvillimin Teknologjik Industrial, që përsëri të na dërgojnë në Agjencinë për Investime të Huaja, ku nuk kemi marrë përgjigje për numrin e të punësuarve në zonat. Vetëm nga ajo që është thënë në mediat, ne mund të supozojmë se numri i tyre lëvizet rreth 10.000 deri në 12.000 maksimum”, thotë Diana Bliznakova nga QMAE. Sipas Bliznakovës, fabrikat në zonat e lira ekonomike në Maqedoni funksionojnë si ishuj të izoluar ekonomikë në të cilët punon një fuqi e lirë dhe e kualifikuar pune.

“Personat e intervistuar nuk e dinë për veprimin e çfarëdolloj sindikate, kurse është paralajmëruar se para lidhjes së kontratës së parë së punësimit, punëdhënësi kërkon nga punëtori të nënshkruajë një deklaratë se heq dorë nga anëtarësimi apo nga iniciativa për formimin e sindikatës. Nuk ka asnjë informacion për ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje kolektive mes punëtorëve dhe punëdhënësit”, thuhet në raportin e QMAE-së për funksionimin e fabrikave në zonat e lira ekonomike.

Për dallim nga Maqedonia, të dhënat për numrin e të punësuarve në zonat e lira ekonomike, nuk janë sekret në Kroaci. Përkatësisht, atje në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Ekonomisë , mund të gjenden të dhënat për numrin e të punësuarve, veç e veç për çdo zonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat