Turistët anulojnë pushimet në Maqedoni

Maqedonia

Turistët anulojnë pushimet në Maqedoni

Më: 23 maj 2015 Në ora: 21:13

Një pjesë e turistëve të huaj i kanë anuluar rezervimet për në Ohër dhe Strugë, ndërsa në masë të konsiderueshme është zvogëluar edhe numri i rezervimeve të reja në 10 ditët e fundit. Sipas hotelierëve, kjo rënie vjen për shkak të situatës politike dhe të sigurisë që mbizotëron në vend. Hotelierët kanë frikë se ky sezon turistik mund të jetë tërësisht i pasuksesshëm, nëse nuk përmirësohen gjërat. Ata thonë se anulime më të shumta ka nga turistët nga Bullgaria dhe Serbia, por ka pasur anulime edhe nga Belgjika dhe Holanda. Ambasada e Holandën në Shkup para dy ditësh i paralajmëroi qytetarët e saj për rreziqet e mundshme të sigurisë gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni. Pjesa më e madhe e hoteleve në Strugë dhe Ohër punojnë me turistë nga Holanda, ndërsa për këtë vit pritej që të mbërrinin më shumë se 30 mijë turistë nga këto vende.

“Më frikëson ajo që tani nuk kemi rezervime të tilla siç kishim vitin e kaluar në këtë kohë. Dëgjoj disa biseda se nëse ndodh ndonjë incident i ngjashëm, ata do të ndalojnë fluturimet, ndërsa kjo do të ishte vërtetë dëm i madh sepse për t’i sjellë ata turistë këtu është punuar me vite të tëra. Kishte anulime të atyre që mundën të anulojnë, ndërsa të tjerët mbeten, por më shqetëson fakti që nuk ka rezervime të reja. Kishte anulime nga Holanda e Belgjika. Para dy ditësh, në gazetën më të lexuar në Holandë- Telegraf, në dy faqe shkruhej për krizën në Maqedoni”, tha Pero Kutanoski, menaxher hoteli.

Hotelierët thotë se qeveria e Maqedonisë dhe autoritetet lokale duhet të publikojnë informata që do të kontribuonin në qetësimin e shqetësimeve në vend por edhe jashtë tij. Nga autoritetet lokale në Ohër thonë se është e pamundur që ngjarjet që destabilizojnë shtetin të mos kenë ndikim në vendimet e turistëve.

“Ne tashmë kemi marrë paralajmërime. Ne biseduam edhe me hotelierët dhe me Agjencitë turistike që kishin paralajmëruar rezervime për në Ohër. Ka paralajmërime se disa prej tyre në periudhën e ardhshme do t’i anulojnë rezervimet e tyre, dhe kjo, gjithsesi është diçka që ne duhet ta marrim në konsideratë, duhet ta llogarisim në projeksionet tona për sezonin e ardhshëm turistik. Nuk do doja të vihet deri te kjo, dhe kam shpresë se gjendja e sigurisë do të përmirësohet”, u shpreh Nikolla Bakarçeski, kryetar i Ohrit.

Një pjesë e hotelierëve me të cilët bisedoi Alsat M, thonë se nëse anulimet janë të shumta, atëherë do të kërkojnë kompensime nga shteti, sepse thuajse të gjithë kanë pasur investime të mëdha që i kanë realizuar përmes kredive dhe huazimeve./alsat m

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat