Murphy: Maqedonia të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve

Maqedonia

Murphy: Maqedonia të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve

Më: 22 maj 2015 Në ora: 19:15

Senatori demokrat Chris Murphy, i cili ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në fundit në Maqedoni, u bëri thirrje autoriteteve të Shkupit që të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve të tyre.

Këto komente, Senatori Murphy i bëri gjatë një intervistë për shërbimin gjeorgjian të Zërit të Amerikës, mbi qëndrimin e Rusisë ndaj vendeve fqinje të ish Bashkimit Sovjetik.

Murphy theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare nuk e kanë lënë në harresë Ballkanin, por duhet t’i përgjigjen me vendosmëri agresionit rus:

“Unë e kam ngritur me të madhe gjatë vitit të fundit shqetësimin për hapat prapa që kemi vërejtur në Maqedoni lidhur me respektimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, apo lirinë e shtypit. Incidentet e javëve të fundit janë shumë shqetësuese. Qeveria e Maqedonisë duhet të angazhohet plotësisht për të respektuar të drejtat e shtetasve të saj, për të riparuar dëmin që kanë shkaktuar të gjitha këto që kemi dëgjuar kohët e fundit për aktet e autoriteteve”.

Senatori demokrat foli edhe për nevojën që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë vëmendje më të madhe rajonit të Ballkanit. Ai thotë se shumë nga tensionet që ushqyen konfliktet e dekadave të fundit në Ballkan ende nuk janë shuar.

“Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen aktivë dhe të pranishëm në zhvillimet në Ballkan. Ne e konsiderojmë si të mirëqenë se Ballkani është një rajon në paqe sot. Tensionet që u shpalosën në luftërat rajonale mbi dhjetë vjet më parë vazhdojnë të ziejnë, prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol më aktiv në atë rajon se ç’po luajnë aktualisht. Për këtë arsye shkova në Ballkan në vjeshtë të vitit të kaluar dhe shpresoj se kolegët e mi do të bëjnë të njëjtën gjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat