Beqiri: Shkelje brutale të ligjeve me grupin e paraburgosur të Kumanovës

Maqedonia

Beqiri: Shkelje brutale të ligjeve me grupin e paraburgosur të Kumanovës

Më: 22 maj 2015 Në ora: 00:33

Prof.dr. Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Maqedoni përgjigjet në INA mbi procedurat dhe të vërtetën se çfarë kanë ndodhur me grupin e Kumanovës, pas shqetësimeve të avokatëve për tortura, brutalitet dhe shkelje ligjore gjatë procedurave nga privimi i tyre.

Ngjarja me grupin e dorëzuar në rastin e Kumanovës, ka nxitur shumë zëra dhe dyshime për shkelje ligjore dhe të procedurave, dyshime për torturim dhe akte tjera antiligjore. Çfarë mund të na thoni në këtë drejtim se si është trajtuar sipas jush ky rast?

Beqiri: Sipas analizave të bëra nga ajo që publikohet dhe shqetësimet e shprehura nga avokatët mbrojtës dhe Avokati i Popullit, mund të them se nuk janë respektuar ligjet dhe ka shkelje të mëdha ligjore dhe të procedurave.
Është e habitshme se si nuk respektohet imuniteti i ambasadorit që ka kërkuar vizitë dhe që nuk i është dhënë leje. Familjarët kanë qëndruar me shumë vuajtje, nënçmime para dyerve të burgut të Shutkës dhe një pjesë e tyre mezi kanë kryer vizita e shkurtëra. Kjo u pa edhe në fotot dhe deklaratat e familjarëve. Personat e privuar janë rrahur prej Kumanove deri në Shkup dhe kjo shihet në pamjet e MPB-së. Kjo ka ndodhur edhe kur kanë shkuar në pyetje tek gjykatësi i procedurës paraprake. Nga vendi i arrestimit deri tek gjykatësi personat e privuar mbahen në stacion policor deri në 72 orë. Kjo është faza më e errët e mbajtjes së personave të privuar në stacionet policore. Këtu rrihen, maltretohen, nënçmohen dhe pësojnë të zezat e ullirit. Më pas pason dërgimi tek gjykatësi hetues, i cili ka për detyrë që në ate gjendje të rrahur dhe maltretuar, të cakton masën e shërimit të detyrueshëm në spital e jo masën e paraburgimit, siç ka ndodhur me këtë grup. Me këtë duhet të nxjerrim në pah se organet policore vihen në pozitë mbi prokurorinë dhe gjykatën, ndërsa në fakt duhet të jenë në shërbim të këtyre institucioneve.
Gjykatësi i procedurës paraprake me kryetarin e Gjyqit Themelor Shkupi 1, e kanë për obligim që të shkojnë në paraburgim ti shohin personat e paraburgosur.
Në këtë fazë, personat e privuar kanë të drejtë t’i shohin përfaqësuesi i ambasadës së vendit përkatës, Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë, Komiteti për Torturë dhe Sjellje çnjerëzore dhe nëse shihet se është tejkalu sjellja e organeve të rendit duhet të merren masa ndaj policëve përgjegjës, por edhe gjykatësit të procedurës paraprake, se pse ka lejuar këtë gjendje të burgosurëve deri në 11 herë në alivanosje dhe me probleme shëndetësore.

Pra ju përmendni këto shkelje dhe se shkelësit e ligjit tashmë dihen. Por a është koha që për këtë dikush të bartë përgjegjësi, sepse këto praktika po përsëriten ?

Beqiri: Po sigurisht se kjo mund të identifikohet shumë lehtë nga organet e rendit, duke u ditur fillimisht se kush ka qenë në operacion. Edhe gjykatësit që kanë marrë në pyetje në këtë gjendje dhe të marrin masa. Andaj apeloj që kjo të zbardhet dhe pikërisht hetimi i gjërë që po kërkohet sidomos nga faktori ndërkombëtar duhet të përfshijë edhe këtë pjesë më të errët, e cila është aplikuar dhe po aplikohet ashpër në Maqedoni, edhe përkundër pretendimeve për anëtarësim në NATO dhe BE.

Ditëve të fundit është hasur edhe heshtja e ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari. Ndërsa si e komentoni deklaratat e Avokatit të Popullit ?

Beqiri: Ministri i Drejtësisë nga ajo çka po flasim duhet të ndërmarrë iniciativë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor Republikan të shkarkojë gjykatësit e procedurës paraprake, që u kanë caktu paraburgim personave të rrahur dhe maltretuar. Ndërkohë, duhet shkarkuar drejtoreshën e ekzekutimit të sanksioneve dhe drejtorin e burgut të Shuktës, se pse i kanë pranuar personat në këtë gjendje shëndetësore.

Avokati i Popullit duhet të jetë më zëshëm dhe mos të mbrojë gjykatësit e procedurës paraprake, se janë rrahur ata prej gjyqi deri në burg. Ndoshta janë rrahur edhe në këtë rast, por ata janë rrahur edhe nga Kumanova për në stacionin policor, edhe kur janë dërguar tek gjykatësi, por edhe nga gjykata deri në burgun e Shutkës. Avokati i Popullit duhet qartë ta sqarojë gjendjen faktike që është me të paraburgosurit në burgun e Shutkës. Për këtë ai duhet të përgadis raport për në Parlament dhe jo këtë ta thotë vetëm përmes mediave.

Nuk është mjaft të prononcohet ai se nuk i lejohet vizita. Atëherë shtrohen pyetjet dhe shumë dilema se edhe kësaj radhe kush cilët i rrahin? apo Kush janë të privuar, rrahur, shkallmuar, pra shqiptarët!?.

Pse nuk u jepet leje anëtarëve të familjes për vizitë, pse nuk i lejohet ambasadorit që të vizitojë, pse nuk i jepet leje Avokatit të popullit, pse heshtën Ministri i Drejtësisë. Këto dhe shumë dilema tjera janë shqetësuese për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duhet të heshtim, por këto çështje duhet të alarmohen.

Me gjithë këtë po shtohen faktet dhe e vërteta se ky vend nuk respekton ligjet dhe aplikon padrejtësi të mëdha?

Beqiri: Me rastin e fundit të Kumanovës, u pa se ky shtet nuk respekton të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk respektohet demokracia. Rasti i Kumanovës na kujton si rastin e Lubotenit. Kjo tregon se akoma nuk ndryshojnë gjërat këtu në këtë aspekt. Këto i themi që të mos përsëriten më dhe shqiptarët të mos jenë viktima. Këtu kemi të bëjmë me mosrespektim të plotë të standardeve evropiane dhe ligjeve për të drejtat e personave të privuar dhe personave të burgosur. Këto dhe shumë çështje tjera tregojnë gjendjen faktike në Maqedoni.

Pas gjitha këtyre shkeljeve skandaloze të ligjeve në sferën penale dhe kushtetutës, shihet qartë se ky shtet nuk po funksionon. A duhet reviduar disa çështje dhe ngritjen e pozitës dhe rolit shqiptar si faktor i barabartë në Maqedoni?
Beqiri:
Edhe pse ligjet janë mirë, përsëri duhet reviduar, edhe ate shumë prej tyre sepse janë sjellë në mënyrë të njëanshme.

Pikë së pari duhet reviduar Kushtetutën e vendit, për të rregulluar sferën e të drejtave kolektive të shqiptarëve.

Kjo nënkupton një model federalizimi me Parlament dydhomësh, buxhet koncensual, me respektimin e të drejtave kolektive dhe duhet ndryshuar në bindjen dhe psikologjinë e njerëzve, sepse mund të sillen ligje të mira, por nëse ato nuk respektohen apo abuzohen, atëherë kjo nuk ka efekt apo nuk respektohet, duke sjellë njërën palë në pozitë inferiore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat