MPB: Nuk ka pasur përleshje të armatosur në Goshincë

Maqedonia

MPB: Nuk ka pasur përleshje të armatosur në Goshincë

Më: 24 prill 2015 Në ora: 11:43

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë Ivo Kotevski i ka përgënjeshtruar informatat e publikuara në disa media maqedonase se mbrëmë në Goshincë të rajonit të Kumanovës ka ndodhur ndonjë incident apo përleshje e armatosur.

“Në Goshincë nuk kemi regjistruar asnjë lloj incidenti apo përleshjeje. Nuk e di se prej nga këto informata të atyre portaleve për përleshje të armatosur në Goshincë”, ka deklaruar Kotevski për agjencinë e lajmeve Zhurnal.

Disa portale maqedonase shkruan se mbrëmë pas mesnate në Goshincë të Likovës ka pasur përleshje të armatosur ndërmjet policisë dhe një grupi të armatosur, që ka rezultuar me një të plagosur rëndë.

Ndërkohë, janë publikuar informata për një aksion të madh të policisë maqedonase dje në orët e pasdites në Kumanovë, me ç’rast është arrestuar një veteran i UÇK-së. Gjithashtu, sipas burimeve të njëjta, janë arrestuar edhe dy vëllezërit e tij, nga të cilët njëri ka qenë inspektor policie. MPB ka konfirmuar se ka pasur aksion, por nuk ka zbuluar më shumë detaje./KP

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat