Komuna e Kërçovës dy vitet e fundit arrin të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

Maqedonia

Komuna e Kërçovës dy vitet e fundit arrin të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit

Më: 28 mars 2015 Në ora: 10:29

Komuna e Kërçovës për herë të parë udhëhiqet nga një kryetar shqiptar. Këto ditë kryetari shqiptar Fatmir Dehari, mbush dy vite në krye të kësaj komune. Ai në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon për projektet dhe prioritetet kryesore që ka realizuar, dhe siç tha ai gjatë këtyre dy viteve janë harmonizuar disa prioritete, si në fushën e urbanizmit, ashtu edhe në atë të arsimit, kulturës, sportit, duke mos lënë anash edhe atë të diasporës.

Ai duke treguar se komuna për dy vite me projekte konkrete, si kanalizime, ujësjellës, rrugë dhe ndriçim publik, ka arritur të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit dhe vendbanimeve për rreth qytetit, shtoi se: “Kemi arritur edhe në sferën e arsimit të ndikojmë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, duke ndërtuar dhe rikonstruktuar objektet shkollore në bashkëpunim me banorët, mirëpo edhe me faktorë tjerë, siç është Agjencia turke TIKA, e cila ka ndihmuar në ndërtimin e objektit shkollor pranë gjimnazit të qytetit, si dhe dy objekteve tjera periferike në korniza të shkollës fillore të qytetit”.

Përveç se në fushën e urbanizmit dhe të arsimit, Komuna e Kërçovës kanë ngjallur mjaftë aktivitete kulturore me programe multi-etnike në të cilat janë përfshirë të gjitha komunitetet, pasi që qyteti i Kërçovës karakterizohet me etni të ndryshme, ndërsa në fushën e sportit, aktivitetet e komunës mbështesin sportin në nivel komunal me klube nga më të ndryshmet. Dehari shpreson që edhe viteve në vijim të vazhdojë kjo frymë e aktiviteteve dhe të reflektojë në bashkëjetesën dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve.

- Borxhi i Komunës së Kërçovës pengesë kryesore e funksionalitetit të komunës

Ai duke informuar gazetarin e AA-së se të gjitha këto aktivitete ndërlidhen me kualitetin e shërbimeve që sipas tij, tani më janë të dukshme në këtë komunë, tha se: “Është një fakt tjetër që ne ballafaqohemi brenda dy viteve me papërgjegjësinë e viteve të kaluara të menaxhimit të komunës, ku trashëgojmë një borxh me vlerë mbi 7 milion euro. Ky borxh është pengesa kryesore e funksionalitetit të komunës, është një barrë e rëndë e jona, ku njëkohësisht bëjmë kthim të borxhit dhe brenda kohës bëjmë investime të reja”.

Planet tjera të kryetarit Dehari janë në rrafshin e zhvillimit ekonomik lokal, ku tani më komuna është duke ndryshuar planin gjeneral të qytetit dhe harmonizon planin detal në përputhje me kërkesat e investitorëve që shfaqin interes, qoftë nga rajoni, nga Turqia, apo edhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Sipas Deharit ky segment është shumë i rëndësishëm, që të ndikojë në zhvillimin e qytetit dhe në ekonomin e vendit për të hapur fabrika dhe vende të reja të punës.“Pres që së shpejti të kemi edhe punë konkrete në këtë drejtim. Qeveria është duke realizuar disa projekte në zonën ekonomike dhe poashtu është duke u ndërtuar autostrada Kërçovë-Strugë, që në fakt do të ndikojë në zhvillim ekonomik të këtij vendi dhe në kushte tjera lehtësuese të qarkullimit të qytetarëve me qendrat tjera”, nënvizoi Dehari, duke shtuar se për këtë nevojitet më tepër mbështetje dhe punë serioze nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

- Kërçova ka përparësi pozicionin gjeografik të saj

Ai gjithashtu shtoi se Kërçova ka disa përparësi në pozicionin gjeografik të saj, me rrugë në drejtim të dy aeroporteve dhe të bregdetit Adriatik nëpërmjet Shqipërisë, pasi që kufiri me këtë shtet ndodhet afër qytetit. Ai përveç kësaj veçoi se anët e forta të këtij qyteti janë pyjet me një sasi të madhe të disa drunjve, si dhe pasuritë nëntokësore të cilat janë akoma të pagjurmuara, mirëpo sipas tij mund të jenë një pjesë shumë me rëndësi dhe interesante për investitorët.“Bujqësia është njëjtë një fushë në të cilën mund të ndikojnë dhe mund të koncentrojnë investimet e tyre. Këtu ka pasur fabrika më të mëdhaja në ish-Jugosllavi, mirëpo për fat të keq tani është në falimentim dhe në status të pa identifikuar juridik”, tha Dehari, duke mos lënë pa përmendur edhe fushën energjetike, pasi që janë disa lumenj që mund të shfrytëzohen në këtë fushë nga investitorët. Një numër i madh i kërçovarëve ndodhen në mërgim për arsye të papunësisë në këtë vend. Dehari thotë se tani ka raste të kthimit nëpërmjet investimeve të mërgimtarëve kërçovarë dhe ky është një fakt që e gëzon dhe i jep shpresë kryetarit shqiptar. “Ikja për shkak të mungesës së vendeve të punës është një rrezik dhe ne gjithmonë këtë pjesë të rrezikut e kemi çdo ditë, për të ndikuar qoftë në kthimin, qoftë për të ndalur migracionin. Veç shumë faktorëve tjerë është hapja e vendeve të reja të punës. Njerëzit duhet të kenë punë, të sigurojnë ekzistencën si hap elementar, pastaj për tu zhvilluar më tutje dhe për të ndikuar në cilësinë e jetesës”, tha Dehari.

- Ish-Ministrja e Arsimit të Turqisë, Nimet Bash ka zhvilluar takime në Kërçovë

Ndërkohë që në kuadër të vizitës së saj në Maqedoni, ish-Ministrja e Arsimit të Turqisë, Nimet Bash ka zhvilluar takime në Kërçovë ku është njohur nga afër me aktivitetet e TIKA-s në këtë qytet si dhe veçanërisht ka marrë inforrmacione mbi projektin “fëmijë të lumtur, Ballkan i lumtur” nga drejtuesit e këtij institucioni në këtë vend.

Bash ka vënë në dukje edhe njëherë faktin që TIKA është e gatshme dhe bashkëpunuese më të gjitha vendet e Ballkanit në dhënien e ndihmës për investimet në fushat ku ka më shumë nevojë dhe çfarëdo lloj fushash të jenë ato. Bash falënderoi edhe kryetarin e kësaj bashkie për kontributin që ka dhënë në lidhje me arsimimin e pakicave turke që ndodhen në këtë qytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat