​Nervozohet Gruevski, i këshillon dhe u tregon mediave çfarë pyetje të bëjnë

Maqedonia

​Nervozohet Gruevski, i këshillon dhe u tregon mediave çfarë pyetje të bëjnë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 20:48

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski vazhdon të mos komentojë përmbajtjen e bisedave telefonike të publikuara nga lideri i opozitës Zoran Zaev ditëve të fundit.

Madje edhe u nervozua dhe kërkoi që mediat të mos komentojnë përmbajtjen e bisedave, por organizatorët e përgjimit.

Por, kur u pyet nga ALSAT nëse edhe sharjet dhe kërcënimet që dëgjohen në telefonatën mes Jankullovskës e Stavrevskit përbëjnë të njëjtën vepër penale, për tentativë për dhunë ndaj funksionarëve të shtetit, Gruevski kërceu sërish tek autenticiteti i bisedave, duke thënë se pret vërtetimin nga gjykata.

Gruevski: Unë jap komente por nuk flas për përmbajtjen e bisedave

“ Nuk është e saktë, ne në çdo ngjarje japim komente.........Përmbajtjen do ta komentojmë kur të konfirmohet autenticiteti në proces gjyqësor, nëse konfirmohet”, tha i.

Gruevski nuk iu përgjigj as pyetjes nëse në bisedat mes zëvednëskryeministrit Zoran Stavrevski dhe ministres së brendshme Gordana Jankullovska ka indikacione për vepër penale “tentativë për dhunë ndaj bartësve të funksioneve më të larta shtetërore”, vepër për të cilën ngarkohet lideri i opozitës Zoran Zaev.

Gruevski: Nuk i komentoj bisedat derisa nuk përfundon procesi gjyqësor

“Sa iu përket bisedave, siç e dini edhe vetë, dje u përgjigja se për autenticitetin e tyre nuk do të komentoj derisa nuk përfundon procesi gjyqësor”, tha ai.

Fakti që lideri i opozitës Zoran Zaev pranoi se komunikimi i koduar mes Zoran Verushevskit dhe familjes së tij është autentik, sipas Gruevskit, zbulon se lideri i opozitës ka gënjyer kur theksonte se nuk ka pasur kontakte me Verushevskin.

Megjithatë Gruevski nuk u përgjigj se përse Verushevski do të komunikonte me kode, nëse ai ka qenë organizator i përgjimit, siç thotë vetë Gruevski.

Gruevski: Unë ndryshe do ta parashtroja pyetjen, jo si ju

“Unë do ta parashtroja pyetjen ndryshe. Pse ndonjë njeri normal, nëse nuk bën krim, nëse nuk bën diçka të kundërligjshme, diçka antikushtetuese, do të komunikonte me mesazhe të koduara. Kjo është pyetja e vërtetë”, tha Gruevski.

Sipas Gruevskit vëmendja nuk duhet përqendruar vetëm tek përmbajtja e bisedave, por edhe tek organizatorët, urdhëruesit dhe ndihmësit e përgjimit masiv, që sipas tij është kryer nga shërbimet e huaja sekrete, përmes instalimeve në Policinë e Maqedonisë./Kosovapress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat