Analistët: Gruevski krijon iluzion se ka përkrahje

Maqedonia

Analistët: Gruevski krijon iluzion se ka përkrahje

Më: 1 mars 2015 Në ora: 22:20

Nikolla Gruevski, përmes Komitetit Qendror të partisë i përbërë nga 120 anëtarë, po tenton të krijojë bindje në opinion se gjithë VMRO DPMNE-ja mendon njësoj si ai, se Gruevski dhe Qeveria gëzojnë përkrahje të pa rezervë në ballafaqimin me sfidat e imponuara nga sjellja e papërgjegjshme e LSDM-së. Kështu thotë Jove Kekenovski, përfaqësues i Forumit të Patriotëve të VMRO-DPMNE-së.

“Me këtë kumtesë të Komitetit Qendror, sipas bindjes sime të thellë, Gruevski nuk e di pas të satës herë dëshiron të tregojë se ai i ngjan Luit të 14-të me të cilin lidhet thënia “L'État, c'est moi” – “Shteti jam unë”, por të gjithë ata që qëndrojnë pas kësaj kumtese nuk e dinë se teksa jepte shpirt Lui i 14-të tha se “Unë po vdes por shteti patjetër duhet të mbetet”. Me sa mbaj mend unë, vet Gruevski kërkoi që të dilte gjithçka në pah dhe për këtë shkak ne kërkuam që të ndodhte një gjë e tillë, pra që çdokush të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë. Nëse Zaevi ka bërë diçka kundër ligjeve le të mbajë përgjegjësi, por të njëjtën gjë të bëjë edhe kryesia jonë nëse ka bërë diçka”, tha Jove Kekenovski, Forumi i Patriotëve Mendje-Hapur, VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, analisti politik Ramadan Ramadani thotë se kumtesa e mbrëmshme e Komitetit Qendror të VMRO DPMNE-së, e cila nuk u shoqërua me asnjë foto, dëshmon se kryeministri Gruevski ngadalë por me siguri, po humbë besimin e anëtarësisë së tij.

“Kjo është një kumtesë në vazhdën e kumtesave partiake që dalin dhe që dëshmon se Gruevskin e mbron vetëm Gruevski, ose është vetë ose është në shoqëri të keqe të ish të gjykuarve për krime ndaj njerëzimit apo të ish politikanëve si në rastin e liderit të PDSH-së. Përveç kësaj, fatkeqësisht kjo është edhe një dëshmi që ende nuk po zbardhet shpresa e opinionit që kjo të marrë një zgjidhje të shpejt përmes rretheve partiake sikur që ishte në rastin e Ukrainës, ku për ish kryetarin Janukoviq u distancua nga politikat e tij dhe më shumë po shkon nga skenari i Kroacisë, ku fatkeqësisht HDZ-ja edhe pas rënies së Sanaderit, gati dy vite pati proces gjyqësor për organizim kriminal në baza partiake”, tha Ramadan Ramadani, analist.

Si Kekenovski ashtu edhe Ramadani thonë nëse Gruevski ia do të mirën partisë dhe shtetit, ai duhet tërhiqet dhe të lejojë institucionet të bëjnë punën në mënyrë profesionale.

“BE-ja sistematikisht, në të gjitha raportet e saj për ne, vërejtjen më të madhe e ka pasur për gjyqësorin. Nga ana tjetër, kur keni raste gjyqësore që kanë të bëjnë me kryeministrin, ai thotë se nuk përzihet në to, por se gjykatat në mënyrë objektive i zgjidhin rastet. Pra ai thotë se nuk ka gisht aty dhe gjyqësori ka fjalën e vetme! Nëse është kështu, nëse Gruevski është i sigurt në objektivitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, atëherë pse nuk tërhiqet dhe t’ia lërë institucioneve që ta zgjidhin vetë këtë problem, pa presione nga pushteti”, u shpreh Jove Kekenovski, Forumi i Patriotëve Mendje-Hapur, VMRO-DPMNE.

“Besoj se opinioni është në pritje të zgjidhjes sa më të shpejt pasi agonia që po vazhdon për opinionin, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, besoj ende vazhdon më shumë për vetë Gruevskin dhe kushëririt e tij”, tha Ramadan Ramadani, analist.

Mbrëmë Komiteti Qendror i VMRO DPMNE-së, organi kryesor i kësaj partie iu bëri apel të gjithë anëtarëve të saj që të qëndrojnë në mbrojtje të shtetit dhe interesave kombëtare, ndërkohë që i dha mbështetje të pa-rezervë Gruevskit dhe Qeverisë në ballafaqimin me sfidat e imponuara nga LSDM-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat