"Rebelimi" i 3 deputetëve, strategji e Ahmetit me ndërkombetarët për të penguar ndryshimet kushtetuese?

Maqedonia

"Rebelimi" i 3 deputetëve, strategji e Ahmetit me ndërkombetarët për të penguar ndryshimet kushtetuese?

Më: 29 janar 2015 Në ora: 14:08

Raportimet e medieve për “përçarje” në BDI dhe për mosbindje ndaj kryetarit Ali Ahmeti, nuk mund të mos merren me dyshim.

Tre deputetë, të cilëve u lexohet në sy adhurimi për Ahmetin, nuk kanë si votojnë ndryshe nga çfarë thotë ky i fundit, sepse kanë dekada, në mos njëqind vjet, që bashkëpunojnë mes vete, në luftë dhe po kështu edhe në paqe.

Pavarësisht se shumë medie duan ta paraqesin këtë situatë aktuale në BDI si “fraksionim”, “përçarje”, “mungesë e autoritetit të Ahmetit”, e vërteta është se nuk ka ndodhur dhe as nuk ka për të ndodhur, për sa kohë në krye të BDI-së është Ahmeti, që deputetët e Grupit Parlamentar të votojnë në kundërshtim me qëndrimin e partisë.

Jo sepse ka një xhandar aty që rri me shkop në dorë për të urdhëruar kush do të votojë në çfarë mënyre, por sepse kjo parti është provuar se lejon mendimet ndryshe, por jo dhe mungesën e konsistencës.

E vërteta është se për ndryshimet kushtetuese, kjo parti ka dalë që në fillim me qëndrim unik, duke i dhënë mbështetje nismës së Qeverisë, gjë e cila u pa dhe në votimin në lexim të parë të ndryshimeve kushtetuese, kur të gjithë deputetët e BDI-së votuan pozitivisht.

Pak muaj më vonë kur, ndërkohë, Komisioni Evropian reagoi duke kërkuar nga Qeveria të harmonizojë ndryshimet kushtetuese me standardet e BE-së, BDI duket se vlerësoi se amendamentet kushtetuese, në mos të hidhen krejtësisht poshtë, duhet të rishikohen dhe të mos votohen menjëherë, për më tepër kur opozita mungon në Kuvend.

Por ky “ndryshim i qëndrimit”, që nuk është tipik për BDI-në, nuk mund të bëhet ndryshe përveçse në këtë mënyrë, që tre ose katër deputetë të refuzojnë votimin, ndërkohë që partia të mbajë po atë qëndrim.

Situata jep shumë për të dyshuar se pas këtij “rebelimi” të deputetëve më besnikë të Ahmetit, qëndron një strategji e këtij të fundit, koordinuar me komunitetin ndërkombëtar, për të mos votuar tani ndryshimet kushtetuese.

Strategjia e “tre-katër deputetëve që refuzojnë votimin” duhet të ketë për qëllim që të mos votohen ndryshimet, sepse ky është vullneti i BE-së, por në të njëjtën kohë të ruajë ekuilibrat brenda Qeverisë, nga të cilat varen shumë ekuilibrat etnikë dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Një strategji si kjo, në kushte kur VMRO-DPMNE ka shpesh reagime të pakontrolluara, është e vetmja mënyrë për të shmangur një përplasje mes dy partive qeverisëse, e cila do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet e ndjeshme ndëretnike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat