Komunave shqiptare ju ikin miliona euro

Maqedonia

Komunave shqiptare ju ikin miliona euro

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 18:24

Miliona euro donacion nga Banka Evropiane për Investim ju ikin nga duart komunave shqiptare si pasojë e neglizhencës dhe mosinteresimit të deritanishëm. Paratë rrezikojnë të ridestinohen për komunat maqedonase ose të merren mbrapa jo për shkak të mungesës së kapaciteteve kadrovike që ishte shkaku i humbjes së mjeteve të ngjashme nga fonde të ndryshme, por për shkaqe më banale.

Komunat shqiptare kësaj radhe mjafton të kenë ide, interesim dhe ndërmarrjen publike komunale aktive. Problemin me përpilimin e projekteve, që ishte shkaku i drejtuesve të pushtetit lokal për humbjen e disa miliona eurove nga IPA fondet, kësaj radhe e ka zgjidhur Ministra për Transport dhe Lidhje. Siç bën të ditur zëvendësministri Nimetulla Halimi, MTL është vënë në dispozicion të komunave që t'u përpilojë edhe projektin për aplikim, i cili pastaj ka gjasat maksimale për t'u aprovuar pasi fjalën e fundit e ka po e njëjta ministri.

Ai thotë se deri më tani komunat shqiptare kanë arritur të shfrytëzojnë vetëm 5 për qind nga shuma e përgjithshme e mjeteve të cilat i kanë në dispozicion. Kohëve të fundit shumë komuna kanë paraqitur interesim, por shumica prej tyre janë ende në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm.

"Komuna e Likovës ka në dispozicion 1.108.746 euro dhe ka konkurruar me projekt për stacion filtrues për ujë të pijshëm. Dokumentacioni ende nuk është kompletuar. Saraji ka aplikuar për projektin për ujësjellës për fshatrat Rashçe, Kopanicë, Llaskarcë, Arnaqi (rezervuari dhe rrjeti primar). Por dokumentacioni nuk është kompletuar. Për këtë komunë BEI ka vënë në dispozicion gjithsej 332.107 euro. Tetova aplikon me një projekt për furnizim me ujë të pijshëm nga lumi Shkumbin dhe Cikrik. Punon në përgatitjen e dokumentacionit dhe është aktive. Kjo komunë ka në dispozicion 1.252.598 euro", bën të ditur zëvendësministri për Transport dhe Lidhje, Nimetulla Halimi.

Edhe disa komuna të tjera si ajo e Bogovinës, për të cilën janë ofruar nga BEI 500 mijë euro, kanë shprehur interesim, por ende nuk kanë të kompletuara projektet dhe dokumentacionin konkret. Por, me projektet e lartpërmendura, siç merr vesh gazeta KOHA, përsëri shfrytëzohet vetëm minimumi i mjeteve të dhëna në dispozicion. Nga qindra, mijëra, apo miliona euro të vëna në dispozicion, komunat shqiptare kanë aplikuar vetëm për projekte në vlerë prej disa mijëra euro. Ndër to është edhe Komuna e Tetovës e cila tani e disa vite ka problem me ujin e pijshëm, ndërsa ka konkurruar për shfrytëzimin e një shume prej vetëm 20 mijë euro.

"Komuna ka dërguar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dokumentacionin dhe projektin për stacionin filtrues në shumë prej 1 milionë e 400 mijë denarë, ndërsa 600 mijë denarë do të paguhen prej Komunës. Ky projekt do të realizohet në 2015", deklaroi Lume Huseini, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Shumat e projekteve të tjera ende nuk janë saktësuar, pasi siç njoftojnë edhe zyrtarisht nga MTL, ata ende janë në fazën e kompletimit të dokumentacioneve. Më së shumti nga komunat shqiptare pritet të fitojë Komuna e Gostivarit e cila është paraqitur me një projekt prej rreth një milionë euro, për investime në sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit të qytetit.

"E kemi përgatitur komplet dokumentacionin teknik dhe jemi në pritje të marrjes së lejes dhe të dërgojmë në ministri të Transportit dokumentacionin e nevojshëm. Jemi në koordinim me zëvendësministrin e transportit dhe bëhet fjalë për një projekt për ujësjellës dhe kanalizim të qytetit që kap vlerën prej rreth 1.5 milion euro", deklaroi Pajtim Sahiti nga Qendra për zhvillim lokal në Komunën e Gostivarit.

Më e keqja në gjithë këtë histori është edhe fakti se komunat shqiptare edhe për ato pak shuma kanë pritur çastet e fundit dhe rrezikojnë që pjesën e mbetur të parave të ofruara ta humbin përgjithmonë. Projekti është paraparë të përmbyllet në vitin 2015 dhe projektet e paraqitura deri më tani do të jenë të fundit të cilat do të financohen nga mjetet e Bankës Evropiane për Investim. Por, numri dy i Ministrisë për Transport dhe Lidhje thotë se ministria e tij është në bisedime me BEI për të shtyrë afatin deri në vitin 2018.

"Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe bëjmë përpjekje që afati të shtyhet. Kohëve të fundit u rrit interesimi, por nuk është i mjaftueshëm pasi edhe shumë mjetë mbeten të pashfrytëzuara. Ne shpresojmë të shtyjmë afatin për vitin 2018, u kemi dhënë në dispozicion komunave edhe përgatitjen e projekteve nga ana jonë vetëm e vetëm që këta mjete të shfrytëzohen në maksimum për të krijuar kushte sa më të mira për qytetarët", deklaroi Nimetulla Halimi, zëvendës ministër për transport dhe lidhje. Mjetet e ofruara nga Banka Evropiane për Investim janë donacion dhe të njëjtat nuk do të kthehen. Komunat shqiptare deri më tani kanë dështuar të shfrytëzojnë edhe shumë donacione dhe mjete të ngjashme nga fondacione të ndryshme ndërkombëtare që dedikohen për zhvillim local.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat