Gruevski për vizitë zyrtare në Çeki

Maqedonia

Gruevski për vizitë zyrtare në Çeki

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 09:19

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, me ftesë të homologut të tij çek Bohusllav Sobotka, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Çekisë.

Dy kryeministrat do të kenë tet-a-tet takim, me ç'rast pasojnë bisedat e dy delegacioneve.

Temë e bisedave do të jenë marrëdhëniet politike midis Maqedonisë dhe Çekisë, si dhe relacionet ekonomike dhe mundësitë për rritjen e përfaqësimit të kompanive çeke në tregun e Maqedonisë.

Në takim do të flitet edhe për integrimin evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë, si dhe për mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.

Dy kryeministrat do të marrin pjesë edhe në nënshkrimin e memorandumit për mirëkuptim midis Qendrës për menaxhim me kriza të Republikës së Maqedonisë dhe Shërbimit të zjarrfikësve të Republikës Çeke, me ç'rast do të pasojnë deklarata të përbashkëta.

Kryeministri Gruevski bashkë me kryeministrin çek, Sobotka do ta hapin Biznes forumin për mundësi tregtare dhe investuese të kompanive çeke në Maqedoni, ku përfaqësuesit e kompanive çeke do të kenë mundësi t'i prezentojnë projektet e tyre para përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë dhe Agjencisë për investime të huaja.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Pragë, kryeministri Gruevski do të ketë takim edhe me presidentin e Çekisë, Millosh Zeman.

Është paraparë edhe vizita e spitalit universitar Motol dhe nënshkrimi i memorandumit për mirëkuptim.

Në delegacionin e kryesuar nga kryeministri i Maqedonisë janë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, zëvendësministri i Ekonomisë, Hristian Delev dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për investime të huaja, Kliment Shekerovski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat