Kontrolle të ashpra në pikëkalimet kufitare Kosovë- Maqedoni

Maqedonia

Kontrolle të ashpra në pikëkalimet kufitare Kosovë- Maqedoni

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 10:26

Shumë shqiptarë të Kosovës të cilët ia kanë mësyer pikëkalimit kufitar në Bllacë janë ballafaquar me një kontroll strikte nga pala maqedonase. Disa prej tyre janë ankuar madje janë detyruar të kthehen mbrapshtë pasi që nuk janë lejuar ta kalojnë kufirin.

Ata janë shprehur të befasuar se nga pala maqedonase nuk u është dhënë asnjë shpjegim konkret se pse u ndalohet hyrja në Maqedoni. Kontrolla të tilla më strikte raportohet se ka pasur gjatë tërë javës, ndërsa një ditë para paralajmërimit të protestës që pritet në mbahet në Shkup, këto kontrollime janë bërë edhe më rigoroze.

“U detyrova të kthehem anipse kisha të gjitha dokumentet përkatëse. Në Shkup kam familjarë, mirëpo nuk e kam të qartë arsyen pse pala maqedonase nuk më lejoi ta kalojë kufirin. Nuk më dhanë asnjë shpjegim konkret”, shprehet Gëzimi, një qytetarë i Kosovës që pati këtë përvojë më pikëkalimin kufitar në Bllacë.

Kohë më parë në media u raportua se u ishte ndaluar hyrja në Maqedoni disa këngëtarëve që kishin për qëllim pjesëmarrjen në protestë.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska as i ka konfirmuar e as mohuar këto informacione.

“Do duhet të shikohet plotësisht rasti nëse personat kanë poseduar dokumentacion të rregullt por mos të spekulojmë. Ndalesa jep gjyqi. Shtatë ditët e kaluara janë paraqitur shumë fotografi dhe thirrje në fejsbuk, MPB i ndjek ngjarjet dhe i qasemi asaj që ti identifikojmë personat që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe kështu të gjithë ata që do të identifikohen do kenë trajtim të njëjtë para ligjit dhe nuk do lejojmë që një grup personash të dhunshëm të nxisin dhunë dhe ta prishin qetësin dhe rendin publik”, deklaroi Jankullovska për media.

Nga Ministria e Brendshme thonë se po i përcjellin me kujdes thirrjet për protestat e nesërme në Shkup, ndërkohë që lëvizja e lirë e shqiptarëve nga Kosova, sipas udhëtarëve që kanë pasur për qëllim ta vizitojnë Maqedoninë është vështirësuar dukshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat