Bilalli: Zgjedhje të reja pas një viti domosdo të ketë!

Maqedonia

Bilalli: Zgjedhje të reja pas një viti domosdo të ketë!

Më: 7 prill 2014 Në ora: 21:10

Shkup, 7 prill - Janë duke u shtuar gjithnjë e më shumë zërat se Maqedonia do të mund të përballet me një skemë qeverisje ku VMRO-DPMNE do të fitonte zgjedhjet parlamentare, ndërsa LSDM ato presidenciale?

Kjo alternativë mbështetet kryesisht në performancën e mirë të kandidatit opozitar për president Stevo Pendarovski, i cili besohet se do të marrë mbështetje nga votuesit "neutralë", ndërkohë që pritet që të gjejë mbështetje edhe tek votuesit shqiptarë.

Në rast të realizimit të një skeme të tillë, vlerësohet se partia qeverisëse maqedonase do të pësonte një goditje të rëndë, e cila do të llogaritej si fillimi i fundit të qeverisjes së fortë të saj.

Analisti politik Mersel Bilalli thotë se në rast se kandidati i LSDM-së ka përparësi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kjo drejtpërsëdrejti do të reflektohej edhe në zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, kështu do të ishte e mundshme që VMRO-DPMNE të pësonte debakël edhe në zgjedhjet parlamentare.

"Është shumë i rëndësishëm raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, dhe në këtë drejtim shqiptarët mund të luajnë një rol shumë pozitiv. E kemi parasysh një fitore psikologjike të opozitës ndaj fashizmit evident të Gruevskit, që po promovohet në mënyrën më të papërgjegjshme.

Por, eventualisht nëse ndodhë një kohabitacion, kjo do të jetë e përkohshme, qoftë fitorja e opozitës, apo e pushtetit. Këto zgjedhje janë të përkohshme. Madje edhe nëse ndodhë zgjidhja e çështjes së emrit apo pranimi në NATO-s", ka thënë Bilalli për "Zhurnal".

Të gjitha kalkulimet shpien në zhvillime të mëtejme politike. Sipas Bilallit, nëse fiton opozita zgjedhjet presidenciale atëherë do të ketë interes që të ketë zgjedhje tjera, sidomos pas publikimit të aferave të partisë në pushtet.

"Nëse fiton pushteti aktual, do të mundohet ta ruajë retorikën patriotike pa e zgjidhur çështjen e emrit, por do të kemi përsëri zgjedhje. Në qoftë se eventualisht pushteti e zgjidhë çështjen e emrit, atëherë do ta paguajë faturën e mashtrimit masës që e ka mashtruar me patriotizëm.

Prandaj, zgjedhje të shpejta pas një viti domosdo do të ketë", ka theksuar Bilalli. Ndërkohë, edhe një anëtar i partisë maqedonase në pushtet, kalimthi ka përmendur mundësinë e kohabitacionit.

Ishe anëtari i Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së dhe zëvendësministër i Ekonomisë Hristijan Delev, ku në deklaratën në Televizionin “Sitel”, rreth mënyrës se di do të bashkëpunonte presidenti dhe Qeveria për arritjen e aspiratave të maqedonasve, foli për kohabitacionin, term ky që përdoret kur presidenti dhe qeveria nuk i përkasin të të njëjtit tabor politik.

Delev nuk ka precizuar për çfarë tipi të kohabitacionin mendon, për president të LSDM-së e qeveri të VMRO-DPMNE-së, ose qeveri të LSDM-së, ndërsa president nga VMRO-DPMNE. (A.F.)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat