Një shqiptar nga Maqedonia bëhet gati të jetojë në planetin Mars

Maqedonia

Një shqiptar nga Maqedonia bëhet gati të jetojë në planetin Mars

Më: 11 nëntor 2013 Në ora: 11:46

Mbi 200 mijë vullnetarë janë paraqitur për të shkuar në planetin Mars, kanë njoftuar organizatorët e këtij misioni.

Edhe pse muaj më parë në listën e aplikantëve nuk kishte ansjë shqiptarë, por nga Ballkani gjendeshin kroatë, malazez, serbë, maqedonas etj., tanimë gjenden dy shqiptarë që kanë shprehur interesim dhe dëshirë për të shkuar në planetin Mars.

“Zhurnal” duke hulumtuar në faqen zyrtare të këtij misioni ka vërejtur se nga Maqedonia ka aplikuar një shqiptar dhe një maqedonas. Shqiptari paraqitet me emrin Adrian dhe ka 24 vjeç, ndërsa nëpërmjet një mesazhi në video tenton t’i bindë organizatorët që ta zgjedhin atë për të udhëtuar në planetin Mars.

Gjithashtu, edhe nga Shqipëria është paraqitur një kandidat për të shkaur në planetin Mars, e ai quhet Enkel dhe është 38 vjeçar. Nga Kosova nuk ka asnjë kandidat, ndoshta edhe nga fakti se në faqen zyrtare të organizatorit nuk gjendet Kosova si shtet i pavarur.

Projekti privat “Mars One”, zyrat e së cilës ndodhen në Holandë, parashikon që të mbledhë një grup prej 40 personash, të cilët do të jenë astronautë potencial me qëllim që 4 prej tyre në vitin 2022 të nisen në rrugën pa kthim drejt “planetit të kuq” në Mars.

CNN amerikan ka rikujtuar se një numër i madh i profesionistëve e kanë vënë nën pikëpyetje realizimin e këtij projekti në aspektin praktik dhe financiar, por kjo nuk i ka penguar njerëzit që të aplikojnë, duke përfshirë këtu edhe rreth 30 mijë amerikanë.

Sipas vlerësimeve preliminare, misioni do të kushtojë rreth 6 miliardë dolarë amerikan. Organizatorët shpresojnë se do t’i mbledhin këto mjete nga sponsorë të ndryshëm si dhe shitjen e të drejtave të emetimit të programit “kolonizimi i Marsit”, duke përfshirë këtu edhe një “reality show”.

Grupi i dytë prej 4 personave në planetin Mars do të shkojë disa vite pasi të shkojë grupi i parë, por asnjëri prej tyre nuk do të kthehet në tokë. Para nisjes për në planetin Mars, kandidatët e përzgjedhur do të kalojnë trajnime, aftësi për mbijetesë dhe kontrolle mjekësore.

BBC ka shkruar se kandidati më i vjetër që pret të shkojë në Mars është 83 vjeçar, kurse ai më i riu shkon në shkollë fillore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat