KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Maqedonia

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Më: 8 maj 2024 Në ora: 07:55 Përditësuar në ora: 22:32 më 08.05.2024
Kuvendi i RMV-së

​Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, Pendarovski pranon humbjen

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka pranuar sonte humbjen dhe i uroi punë të suksesshme kundërkandidates nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Pendarovski me këtë rast tha se pavarësisht rezultatit ai ka ndërgjegjen e pastër.

“E dimë se ka disa raporte për disa parregullsi, por këtë ua lëmë organeve kompetente që të mos mbetet asnjë njollë ndaj procesit zgjedhor. I uroj fituesve, u dëshiroj sukses në punë gjatë katër viteve, gjegjësisht 5 viteve të ardhshme. Koncepti im për një Maqedoni multietnike të integruar në strukturat euroatlantike nuk gjeti mbështetje te votuesit, megjithatë mbetem në qëndrimin se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë prosperuese. Megjithatë ndërgjegjja ime është e pastër”, tha Pendarovski.

Ndërsa, kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi sonte se mbështetja e madhe nga qytetarët në raundin e dytë të zgjedhjeve për kreun e vendit nënkupton edhe përgjegjësi të madhe.

“Qytetarët dolën në votime dhe e dhanë votën e tyre për atë që deshën. Mua nuk më ndodhi që t’i bind qytetarët që të votojnë për mua, se jam më e mira, më e mençura, por e lash që qytetarët vetë të vendosin”, tha ajo.

Deri më tash janë numëruar 77.38 për qind e votave për garën e raundit të dytë për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, presidenti aktual, ka marrë 39.27 për qind ose 190.369 vota, ndërsa Gordana Siljanovska-Davkova 64.83 për qind ose 421.673 vota. Diferenca e votave është 231.304.

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, Siljanovska bindshëm para Pendarovskit

KSHZ ka publikuar rezultatet e para për zgjedhjet presidenciale.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga 62 për qind e votave të numëruara Gordana Siljanovska ka marrë 305.640 ose 64 përqind, ndërsa Stevo Pendarovski ka marrë 141.984 vota ose 29 për qind.

Theksojmë që edhe në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Gordana Siljanovska-Davkova kishte fitore bindëse.

Numërohen më shumë se gjysma e votave, këto janë rezultatet nga zgjedhjet kuvendare

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e rezultateve të para për zgjedhjet kuvendare.

KSHZ tashmë ka numëruar më shumë se gjysmën e votave, ndërsa rezultatet janë si më poshtë:

LSDM dhe koalicioni: 68.821 vota ose 13 për qind

OBRM-PDUKM dhe koalicioni: 204.015 vota ose 39 për qind

Fronti Europian: 87.283 vota ose 16 për qind

Koalicioni VLEN: 71.980 vota ose 14 për qind.

VLEN feston në sheshin “Skënderbeu” në Çair

Koalicioni VLEN ka nisur të festojë në Komunën e Çairit, gjegjësisht në sheshin “Skenderbeu” atje edhe ku e kanë selinë qendrore.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale, shihen simpatizantët e VLEN-it duke kënduar.

Ndryshe, nga 79 për qind e votave të numëruara në Çair, Koalicioni VLEN ka 6626 vota, ndërsa Fronti Europian ka 5028 vota.

Publikohen rezultatet e para në Tetovë, prin VLEN-i

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka nisur me publikimin e rezultateve në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve nga 56% të vendvotimeve të numëruara në Tetovë, këto janë rezultatet:

LSDM – 594 ose 2,35%
OBRM-PDUKM – 2.511 ose 9,94%
OQM – 5 | 0,02%
Fronti Evropian 10.087 ose 39,95%
E Majta 205 ose 0,81%
VLEN 10.623 ose 42,07%
ZNAM 2017 ose 0,81%

Në zgjedhjet kuvendare të drejtë vote kanë pasur 1.815.350 qytetarë. Ndërkohë, sot në Maqedoninë e Veriut qytetarët kanë votuar edhe për zgjedhjet presidenciale për rrethin e dytë.

Dalin rezultatet e para për parlamentaret, ja cila parti prin

Sipas rezultateve preliminare të KSHZ nga gjithsej 293.783/1.815.350 prin VMRO-ja me 47.196 e ndjekur nga LSDM me 15.908.

Ndërsa në bllokun shqiptarë prin Fronti Evropian me 33.284, ndërsa VLEN 27.792 vota.

KSHZ: Zgjedhjet ishin korrekte, rezultatet e para do të shpallen para mesnate

KSHZ në konferencën e fundit për media ka njoftuar për daljen në votime në zgjedhjet e dyfishta që u mbajtën sot.

KSHZ njoftoi se dalja në zgjedhjet presidenciale deri në orën 18:30 ka qenë 46.31 përqind.

Ndërsa për zgjedhjet kuvendare, dalja deri në ora 18:30 ka qenë 53.30 përqind. Dalja më e madhe për zgjedhje ka qenë në Novaci, ndërsa dalja më e ulët është në Qendër Zhupë.

Ditmire Shehu nga KSHZ tha se ky organ edhe një herë e dëshmoi se mund të organizojë zgjedhje korrekte dhe demokratike, ndërsa i falënderoi edhe institucionet tjera përrgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve.

Ajo gjithashtu theksoi se rezultatet e para për zgjedhjet e sotme pritet të shpallen rreth orës 23:30.

Mexhiti: VLEN fituese tek shqiptarët, procesi zgjedhor nuk ka qenë demokratik

Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN sot u shpreh procesi zgjedhor gjatë ditës së sotme ka nuk ka qenë demokratik, ndërsa koalicioni VLEN është fitues absolut në zgjedhje.

“Për fat të keq institucionet e shtetit që kanë për detyrë të garantojnë procesin sot edhe një herë u vunë në shërbim të BDI-së”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se në vendvotime janë parë funksionarë të BDI-së për të bërë presion ndaj qytetarëve dhe kjo është e faktuar.

“Për të gjitha këto ngjarje ne do t’i informojmë përfaqësuesit e ambasadave, misionet vëzhguese të zgjedhjeve dhe institucionet tjera relevante në vend dhe jashtë”, tha Mexhiti.

Ademi: Fitore historike për Frontin Evropian

Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim u shpreh se Fronti Evropian ka korrur fitore historike.

“Me këtë po vuloset e ardhmja evropiane e vendit. Kthim prapa nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë, sepse vullneti i qytetarëve është mbi të gjitha”, tha Ademi.

Ai shtoi se fitorja është e Frontit Evropian dhe qytetarëve që mbështetën fushatën “Po Europës, Jo Rusisë”.

Kujtojmë se sot në zgjedhjet kuvendare të drejtë vote kanë pasur 1.815.350 qytetarë. Ndërkohë, sot në Maqedoninë e Veriut qytetarët kanë votuar edhe për zgjedhjet presidenciale për rrethin e dytë.

LSDM pas mbylljes së vendvotimeve: Zgjedhjet ishin demokratike

Pas mbylljes së vendvotimeve, Bogdanga Kuzeska nga LSDM tha se dita e sotme ka qenë e qetë dhe e suksesshme, ndërsa zgjedhjet i vlerësuan si demokratike.

“Siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s që ka nisur negociatat me BE-në. Janë raportuar disa parregullsi, por ne i konsiderojmë të parëndësishme. Qytetarët mund të shprehnin lirisht vullnetin e tyre dhe të vendosnin për të ardhmen e vendit. E drejta e votës dhe vendimmarrja e lirë janë përfitimet më të rëndësishme të demokracisë”.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve që dolën sot në kutitë e votimit dhe votuan. Qytetarët treguan kapacitete demokratike dhe pjekuri institucionale dhe patëm zgjedhje të lira, demokratike, paqësore dhe dinjitoze. Falënderim të veçantë u shprehim qytetarëve që votuan për LSDM-në, Koalicionin për Ardhmëri Evropiane dhe për kandidatin për president Stevo Pendarovski. Vullneti i qytetarëve do të vendosë se cilën rrugë do të ndjek Maqedonia”, tha Kuzeska e LSDM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat