Ulen tentativat për hyrje ilegale në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Ulen tentativat për hyrje ilegale në Maqedoninë e Veriut

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Gjatë 11 muajve të këtij viti ka pasur 13,500 tentativa për të kaluar kufirin tonë dhe sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi ulje për 48% të tentativave për hyrje ilegale në vend.

Në muajin nëntor të këtij viti, 548 emigrantë kanë tentuar të kalojnë pikën kufitare Vinojug. Ndërsa në qendrën transitore kufitare “Tabanoc” po ashtu në nëntor, kanë qëndruar 99 emigrantë. Shumica kanë qenë nga Siria, Nepali, Kongo, Afganistani, Pakistani, Sierra Leone dhe Palestina.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme Toni Angellovski thotë se ulja e ndjeshme e tentativave për të hyrë në mënyrë ilegale në vendin tonë dëshmon edhe për punën e policisë së vendit por edhe praninë e Frontex-it e cila ndihmon në sigurinë e kufirit.

“Kemi ulje të numrit të mënyrës së hyrjes ilegale në shtet nëse e krahasojmë me 11 muajt e këtij viti me 11 muajt e vitit të kaluar kemi rreth 48 % me pak tentime për të hyrë në mënyrë ilegale në vend, pra diku rreth 13500 kemi këtë vit e cila tregon se policia punon mirë dhe po ashtu dëshmon edhe prania e Frontex-it e cila ndihmon që të mund të jetë më i sigurt kufiri dhe është rritur edhe efikasiteti i sanksionimit të kontrabandës së emigrantëve dhe e gjithë kjo kontribuon që kjo rutë nga RMV-ja të mos jetë atraktive për emigrantët apo ta anashkalojnë dhe më shumë të orientohen nga shtetet tjera”, tha Angellovski

Nga Organizata “Legis” lidhur me rritjen e numrit të rasteve të zbuluara të kontrabandës me emigrantë thonë se kanë ndikuar edhe masat gjithnjë e më të rrepta për kontrollin e kufijve të shpallura nga BE-ja.

“Kontrollet rigoroze në pikan e kalimit dhe rutat e emigranteve janë arsyeja e rritjes së numrit të emigranteve të kontrabandës, numri i madh i veturave, furgonëve dhe kamionëve të konfiskuar që ndodhen në qendrën transitore “Vinojug” dëshmojnë për numrin e tentativave të pasuksesshme për kontrabandë, gjegjësisht suksesin e policisë në parandalimin e tyre”, tha Jasmin Rexhepi nga OJQ LEGIS.

Vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti janë zbuluar gjithsej nëntë raste të kontrabandës së 89 emigrantëve ndërsa janë shqiptuar masa ndaj 12 personave, tre prej tyre janë shtetas të huaj për të cilët janë marrë masat e përndjekjes penale për kryerjen e tetë veprave penale dhe atë “kontrabandë me emigrantë” dhe nga një vepër penale për “bashkëpunim” dhe “ndihmë në kontrabandë me emigrantë njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat