Samiti i OSBE-së në Shkup ngjarja më e madhe politiko-diplomatike në Maqedoninë e Veriut, do të mbyllen disa rrugë

Maqedonia

Samiti i OSBE-së në Shkup ngjarja më e madhe politiko-diplomatike në Maqedoninë e Veriut, do të mbyllen disa rrugë

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 09:11
Foto ilustrim

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, i cili nga sot deri më 1 dhjetor do të mbahet në Shkup, ku pritet të marrin pjesë rreth 1000 delegatë.

76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të Organizatës do të marrin pjesë në ngjarjen më të madhe politiko-diplomatike që është zhvilluar në Maqedoni që nga pavarësia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Takimi do të shënojë praninë e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, Anthony Blinken dhe Sergei Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e pakta që do t’i gjejë të dy në të njëjtin vend që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt 2022. Edhe pse aktualisht nuk ka asnjë njoftim për një takim mes Blinken dhe Lavrov, analistët nuk përjashtojnë mundësinë e bisedimeve për një zgjidhje të mundshme të konfliktit në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të vijë sot në Shkup, i cili pjesëmarrjen e OSBE-së do ta fillojë me një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme dhe kryesuesin e OSBE-së Bujar Osmani.

Me ardhjen e kreut të diplomacisë së Federatës Ruse Lavrov, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga BE për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Pasi u konfirmua prania e Lavrov, ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitri Kuleba dhe të vendeve baltike – Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë vendosën të bojkotojnë forumin.

Në mbledhjen ministrore priten vendimet për zgjedhjen e kryetarit për vitin 2024, për të cilin në mbledhjen përgatitore të ambasadorëve të 57 vendeve anëtare të kësaj jave në Vjenë, u arrit konsensusi që ajo të jetë Malta.

Këshilli i Ministrave do ta nisë sonte me një darkë joformale në të cilën do të marrin pjesë disa nga krerët e diplomacisë së shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së. Forumi zyrtarisht do të hapet nesër në Qendrën sportive “Boris Trajkovski”, e cila është ripërdorur dhe përgatitur për takimin ministror.

Për shkak të mbajtjes së mbledhjes ministrore, Qeveria sot vendosi që orari i punës për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në territorin e qytetit të Shkupit të përfundojë në ora 12:00 dhe nesër të jetë ditë jo pune për të gjithë punonjësit në administratën shtetërore dhe publike, si dhe për shkollat ​​bazë dhe të mesme në zonën e kryeqytetit. Njëkohësisht do të mbyllen për qarkullim një pjesë e rrugëve nëpër qytet nëpër të cilat do të kalojnë delegacionet e huaja.

Duke filluar nga ora 13:00 e ditës së sotme deri në përfundim të Këshillit të Ministrave, disa rrugë do të mbyllen herë pas here për qarkullim, si bulevardi “Ilinden” nga kryqëzimi me rrugën “Klimenti i Ohrit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ljubljanska” dhe “8 Shtatori”, nga kryqëzimi me rrugën “Skupi” deri te kryqëzimi me bulevardin “Partizanski Oshdi”.

Nga MPB thonë se në varësi të nevojave mund të mbyllen edhe rrugë tjera dhe apelojnë qytetarët që të kenë durim dhe të respektojnë urdhrat e punonjësve të policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat