Maqedoni, tarifa ditore e rrymës prej 1 dhjetorit

Maqedonia

Maqedoni, tarifa ditore e rrymës prej 1 dhjetorit

Më: 14 gusht 2023 Në ora: 13:34
Tarifa

Tarifa e lirë ditore nga një dhjetori nuk pritet të vlejë menjëherë për të gjithë konsumatorët. Me fjalë të tjera nga fillimi i dhjetorit, rrymë më të lirë për dy orë në ditë do të ftojnë pa problem mbi 170 mijë amvisëri që kanë matës digjital të rrymës. Për pjesën e mbetur nga 820 mijë matës, apo për 650 mijë matës të rrymës nevojitet të bëhet njehsimi në terren nga ana e ekipeve të EVN-së.

“Nga 1 dhjetori do të hyjë në fuqi sistemi i ri tarifor. Deri atëherë EVN do të bëjë të gjitha përgatitjet teknike, testet e softuerit etj. Nga 1 dhjetori do të fillojë rregullimi i njehsorëve në terren”, thonë nga EVN.

Nga komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se katër blloqet e vendosura të rrymës së harxhuar kërkojnë më shumë përgatitje apo zgjidhje teknike për rikthimin e tarifës së lirë përgjatë ditës.

“Operatori ishte për datën 1 korrik të vitit të ardhshëm, por arritëm pajtueshmëri që të fillohet nga 1 dhjetori kur qytetarëve ju nevojitet më shumë, sepse pa fajin e tyre shumica ngrohen me rrymë, dhe ju mungojnë opsione tjera, andaj edhe fillojmë nga 1 dhjetori. Ekzistojnë probleme teknike dhe kjo është data më e hershme që mund të nisë aplikimi i tarifës së lirë ku për shkak të blloqe kërkohet më shumë kohë”, thotë Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Nga EVN shpjegojnë se për dhjetëra mijë matës të rrymës nuk do të vlejë tarifa e lirë për shkak se ekzistojnë probleme me njehsimin e tyre në vend, si rrjedhojë e mbylljes së shtëpive apo shpërnguljes apo edhe për shkak të vjedhjeve të energjisë elektrike ku ekipet e kësaj kompanie nuk kanë qasje.

Pritet që me fillimin e dhjetorit të ketë rrymë të lirë prej orës 13 deri 15 pasdite. Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se do të këmbëngulin që në vitet e ardhshme që Elektrodistribucioni t’i ndërrojë të gjithë njehsorët e vjetër dhe të vendosë njehsorët me lexim në distancë me shpenzimet e tyre, të cilat më pas do të përfshihen në shpenzimet e njohura nga ky institucion. Me këtë, të gjitha ndryshimet mund të zbatohen menjëherë dhe nuk do të ketë nevojë për rregullim manual dhe lexim të njehsorit.

Gjithashtu në bazë të vendimit të Komisionit Rregullator për 7.04 për qind u ul çmimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në bllokun e parë në energjinë dhe rrjetin e kalkuluar, në bllokun e dytë do të jetë më e lirë për 4.09 për qind, përderisa në bllokun e tretë do të ketë rritje për 2.54 për qind, ndërsa në bllokun e katërt çmimi do të jetë më i lartë për 2.42 për qind.

Matësit e energjisë elektrike shtëpiake funksionojnë tashmë me çmimin e ri të energjisë elektrike për të katër blloqet , ndërsa faturat e korrikut do të kenë edhe TVSH më të lartë, e cila është kthyer nga 10 në 18 për qind./Koha.mk/

Me TVSH, ulja e çmimit të faturës për energjinë e konsumuar në bllokun e parë do të jetë 0.28 për qind, në bllokun e dytë do të ketë rritje 2.88 për qind, në bllokun e tretë 9.99 për qind dhe në të katërtin rritje prej 9.87 për qind. Familjet me konsum mesatar do të paguajnë një çmim më të ulët për energjinë dhe taksën e rrjetit me 4.26 për qind, dhe nga dhjetori, me fillimin e tarifës së lirë ditore, në fatura do të pasojë një ulje lineare prej 5 për qind, thonë nga Komisionit Rregullator.

Ndryshe, tarifa e lirë u kthye edhe ditën pas anulimit paraprak më tetor të vitit 2017. Kjo masë qeveritare për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve kishte koston 8 milionë euro në vit, ndërsa harxhimet e saja mbuloheshin nga puna me nikoqirllëk e kompanive energjetik. Ajo u anulua më 1 janar 2022 së bashku me shtrenjtimin e rrymës prej 9.5 për qind. Tarifa e lirë ditore ishte anuluar për shkak të krizës energjetike dhe po të mbetej e njëjta, rryma do të ishte shtrenjtuar edhe për 5 për qind, arsyetuan para gati dy vitesh kompetentët nga Komisioni Rregullator për Energjetikë këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat