​BDI del nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të gjithë ministrat japin dorëheqje

Maqedonia

​BDI del nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të gjithë ministrat japin dorëheqje

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 17:02
​BDI del nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të gjithë ministrat japin dorëheqje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka njoftuar se ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e BDI-së, japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar.

Ahmeti në një letër dërguar kryeministrit të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski ka shkruar se dorëheqjet materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.

Letra e plotë:

I nderuar Kryeministër, Dimitar Kovaçevski,

duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë evropiane,

duke patur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit,

duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh,

duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do ti votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria,

duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë,

duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane,

duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare,

Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar!

Dorëheqjet, z. Kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat