MPJ-Maqedoni: OBRM-PDUKM përmes gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara shkakton ndarje etnike

Maqedonia

MPJ-Maqedoni: OBRM-PDUKM përmes gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara shkakton ndarje etnike

Më: 17 prill 2023 Në ora: 14:56
MPJ-Maqedoni

Është e çuditshme sjellja e OBRM-PDUKM, e cila ndonëse vetëdeklarohet si parti që i mbron vlerat konservatore, gjatë festimit të festave të Pashkëve, më konkretisht – të “Shtunën e Madhe”, përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve tërësisht të imagjinuara krijon tensione dhe ndarje etnike në shoqëri, thuhet në reagimin e MPJ-së pasi më herët OBRM-PDUKM kërkoi dorëheqjen e ministrit të Jashtë, Bujar Osmani.

“Në shenjë respekti për bashkëqytetarët tanë, të cilët në këto ditë presin që të kenë paqe dhe qetësi për t’i shënuar me dinjitet festat e Pashkëve, MPJ-ja u përmbajt nga komentimi i sjelljeve të pahijshme të OBRM-PDUKM-së. Megjithatë, në interes të së vërtetës, na lejoni t’i demantojmë plotësisht informacionet për zbatimin e papërshtatshëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve gjatë takimeve dhe/ose konferencës për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, Jose Manuel Albarez Bueno.

Zbatimi i Ligjit për Gjuhët në të gjitha ngjarjet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat, meqë ra fjala, janë të shpeshta, publike dhe të shumta, zbatohet gjithmonë si duhet. Në çdo ngjarje, Ministri i drejtohet publikut vendas në dy gjuhët zyrtare të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjuhët, me ç’rast Ministria ofron përkthim të duhur për mediat e pranishme.

Rikujtojmë se përdorimi i gjuhëve zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një çështje e rregulluar me ligj, ku është përcaktuar saktësisht përdorimi i gjuhëve zyrtare të vendit dhe duhet të zbatohet në përputhje me rrethanat, pa qenë subjekt i kalkulimeve politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Nga atje i bëjnë thirrje OBRM-PDUKM-së që t’i mbështesë pretendimet me ndonjë provë, regjistrim apo incizim; në të kundërt të tregojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë dhe të kërkojnë falje publike për krijimin e panevojshëm të konfuzionit në opinion mbi baza etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat