Bizneset në RMV kërcënojnë me zbrazjen e rafteve në rast të ngrirjes së çmimeve

Maqedonia

Bizneset në RMV kërcënojnë me zbrazjen e rafteve në rast të ngrirjes së çmimeve

Më: 6 mars 2023 Në ora: 20:28
Foto ilustrim

Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se në rast të miratimit nga Qeveria të vendimit për ngrirjen (kufizimin) e çmimeve të produkteve ushqimore, raftet e dyqaneve do të mbeten të zbrazëta.

Ky reagim pason njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë se është në përfundim të analizave për ngrirjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore, si qumështi dhe mielli dhe produktet e tyre, pa dhënë më shumë detaje se kush do të jetë pjesë e kësaj liste.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se një vendim i këtillë mund të marrë miratimin nga Qeveria në fund të kësaj jave.

Ky paralajmërim pason vendimin e Qeverisë për kufizimin e çmimit të bukës në 33 denarë (0.50 euro) nga rreth 1 euro sa kishte arritur.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim të ngrijë çmimin e bukës dhe tani paralajmëron ngrirjen e çmimit të qumështit dhe disa produkteve të tjera ushqimore, pasi kompanitë prodhuese i kanë shfrytëzuar subvencionet për rrymë të lirë, ndërkohë që nuk i kanë ulur çmimet e produkteve që i prodhojnë.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se biznesi nuk do të mund të përballojë ngrirjen e çmimeve për shkak të rritjes së kostos së prodhimit.

“Çështja është që mos të shkohet në variante ekstreme kur biznesmenët nuk do të kenë llogari që të plasojnë një produkt në treg, përkatësisht atë produkt ta heqin nga raftet e dyqaneve dhe rrjedhimisht të humbin edhe biznesmenët edhe qytetarët”, thotë Iseni.

“Por, çështja është që Qeveria të gjejë mënyra alternative, si t’i ulë çmimet e produkteve të caktuara ushqimore, qofshin ato bazë apo në përgjithësi. Ka shumë mënyra – siç është heqja e tatimeve përkohësisht apo heqja e tarifave doganore – në formë që të vihet deri te një çmim më i kapshëm edhe për konsumatorin dhe njëkohësisht të mos dëmtohet edhe biznesi”, shton ai.

Ekspertët e ekonomisë thonë se Qeveria është e detyruar t’i mbrojë konsumatorët në rastet kur kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore nuk ndjekin trendin e uljes së çmimeve ushqimore në berzën ndërkombëtare.

Zdravko Saveski nga Institutit për Shkenca Humane dhe Shoqërore, si aktivist për mbrojtjen e të drejtave sociale, e konsideron të palogjikshme që çmimet e produkteve ushqimore ulen në berzën botërore, kurse qytetarët e Maqedonisë së Veriut paguajnë çmime shumë më të larta sesa ata në vendet e Bashkimit Evropian.

“Kur keni një situatë ku për 11 muaj shënojnë ulje çmimet e produkteve ushqimore në berzën botërore, kjo duhet të reflektohet edhe në tregun vendor për prodhimet ushqimore. Por, kapitalistët që posedojnë fabrika për prodhimin e produkteve ushqimore nuk e ndjekin këtë trend, duke realizuar profit të lartë”, vlerëson Savevski për REL-in.

Ai thekson se në momentin që afaristët nuk tregohen të ndjeshëm ndaj shkallës së varfërisë, por mbeten të fokusuar vetëm te përfitimi i lartë, Qeveria është e obliguar që të mbrojë interesin e përgjithshëm duke i ngrirë çmimet.

Arben Halili, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të kenë për bazë interesat e qytetarëve, por gjithsesi duke përfillur edhe kërkesat e sektorit të biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat