Ndërkombëtarët kërkojnë rezultate për luftën ndaj korrupsionit në Maqedoni

Maqedonia

Ndërkombëtarët kërkojnë rezultate për luftën ndaj korrupsionit në Maqedoni

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 20:41
Foto ilustrim

Partnerët ndërkombëtarë presin luftë të intensifikuar kundër korrupsionit në vend. Shumica e përfaqësuesve të ambasadave, të cilët morën pjesë në konferencën rajonale kundër korrupsionit, thanë se nevojiten veprime konkrete, jo vetëm deklarata politike. Sipas tyre, ka nevojë urgjente për të luftuar korrupsionin dhe kanë urdhëruar Maqedoninë që t’i përmbahet udhërrëfyesit të miratuar vitin e kaluar, i cili përmban rekomandimet e GREKO-s.

“Udhërrëfyesi nuk do të jetë gjë tjetër veçse një plan tjetër strategjik nëse nuk zbatohet, duke i zhgënjyer qytetarët të cilëve u shërbeni. Shtetet e Bashkuara po dëgjojnë dhe më e rëndësishmja ne presim rezultate nga dhjetëra milionë dollarët që kemi investuar në sektorin e drejtësisë deri më sot dhe po monitorojmë me vigjilencë angazhimet e ndërmarra”, deklaroi Erik Mejer – Zëvendësambasador i SHBA-së.

“Ende ka shumë pak aktakuza, dënime dhe burgime, lidhur me krimin e organizuar në të gjithë rajonin”, u shpreh Suzi Dajkin – MPB e Britanisë së Madhe.

“Është koha për veprim. Fjalët dhe deklaratat me qëllime të mira nuk janë efektive”, tha David Gir – ambasador evropian.

Sipas ekspertëve vendas, duhet hetuar pse ajo që është investuar nuk e ka dhënë rezultatin e dëshiruar.

“Më në fund u kujtuan, edhe pse kemi bërë thirrje shumë, të kërkojnë llogari, përgjigje dhe rezultate dhe jo vetëm të japin fonde”, theksoi Slagjana Taseva – Transparenci Maqedoni.

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska tha se pajtohet me deklaratën e zëvendësambasadorit të SHBA-së, Erik Mejer, se kemi nevojë për rezultate nga mjetet e investuara. Ajo po ashtu tha se nuk ka pasur takim me ekipin amerikan të sanksioneve që ishte në Shkup.

“Supozoj se ai ekip ka detyrën e vet, me qëllimet e veta për të cilat ka ardhur. E thashë edhe më parë, do ta përsëris tani se çdo ndihmë, jo vetëm ndërkombëtare, por nga çdo aspekt dhe nga sektori joqeveritar, nga media, është e mirëseardhur”, deklaroi Sllavica Gërkovska – Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.

Sipas saj, shteti duhet të përshpejtojë përmbushjen e objektivave të përcaktuara në luftën kundër korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat