Dhjetëra ligje ‘peng’ i mosfunksionimit të Kuvendit të Maqedonisë

Maqedonia

Dhjetëra ligje ‘peng’ i mosfunksionimit të Kuvendit të Maqedonisë

Më: 19 mars 2022 Në ora: 13:05
Kuvendi

Dhjetëra projektligje nuk po mund të miratohen për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Projektligjet që nuk janë miratuar përfshijnë sfera të ndryshme nga ekonomia, infrastruktura, sfera sociale, pastaj emërimet në shumë institucione, përfshirë edhe zgjedhjen e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila tani një kohë nuk punon për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjendja e krijuar në Kuvend është pasojë e mungesës së një shumice stabile, e cila numëron 64 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi dhe mungesa e ndonjërit prej tyre, në rast kur nuk merr pjesë edhe opozita, e bën të pamundur mbajtjen e seancave. Për këtë partitë akuzojnë njëra-tjetrën.

“Deputetët e shumicës kanë vullnet dhe po bëjnë përpjekje që seancat të mos dështojnë, por kjo nuk ndodh edhe me OBRM-PDUKM-në opozitare, e cila bën obstruksione, pengon miratimin e ligjeve, të cilat për një kohë të gjatë janë në procedurë parlamentare. Deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm pasi janë zgjedhur nga populli për t’i përfaqësuar interesat e tyre dhe jo për të bojkotuar apo për të penguar mbajtjen e seancave”, ka deklaruar Snezhana Kaleska Vançeva, deputete e Lidhjes Social Demokratike.

Por, nga opozita thonë se partitë në pushtet fajin duhet ta kërkojnë në mesin e tyre dhe jo tek opozita, e cila ka në procedurë shumë propozime por që nuk vendosen në rend dite.

“OBRM-PDUKM-ja punon dhe mbetet e përkushtuar që të jetë në shërbim të qytetarëve. Deputetët e opozitës janë çdo ditë në Kuvend dhe e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet. Problemi qëndron te partitë e koalicionit, të cilat nuk mund të merren vesh mes tyre për pazaret dhe interesat e tyre biznesore”, ka deklaruar Dimce Arsovski nga OBRM-PDUKM-ja.

Puna jofunksionale dhe jocilësore e Kuvendit është kritikuar edhe nga njohësit e çështjeve politike dhe organizatave që merren me monitorimin e punës së institucionit ligjvënës.

Aleksandra Jovevska-Gjorgjeviq nga Instituti për Demokraci “Socielas Civilis” thotë se një hulumtim i kësaj organizate flet për cilësi të dobët në punën e Kuvendit.

“Ky nivel i ulët i debatit cilësor në Kuvend është i pranishëm gjatë dy vjetëve të fundit. Mungon transparenca, shumë ligje nuk janë miratuar, ndërsa është mbajtur vetëm një seancë me pyetje të deputetëve drejtuar Qeverisë. Shumë nga qëndrimet e deputetëve janë të dobëta ose aspak të argumentuara. Nuk ka debat të mirëfilltë në punën e Kuvendit dhe kjo ia ulë cilësinë”, thotë Jovevska-Gjorgjeviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat