61 votat kundër Zaev, kryetari i VMRO-DPMNE: Bllok kundër krimit

Maqedonia

61 votat kundër Zaev, kryetari i VMRO-DPMNE: Bllok kundër krimit

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 20:15
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

Opozita në Maqedoninë e Veriut ka siguruar 61 vota deputetësh për të rrëzuar Qeverinë aktuale.

Kjo shumicë do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, Lëvizja Besa dhe E Majta. Përmbysja e shumicës u bë e mundur me kalimin e Lëvizjes Besa nga koalicioni me LSDM-në, BDI-në dhe PDSH-në, në kampin opozitar.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski shprehet se ky është një bllok i ri kundër krimit dhe korrupsionit.

 “Ky është koalicion kundër krimit dhe korrupsionit të pushtetit, kundër shpresës së tradhtuar, bllok për përparim dhe ardhmëri të re. Pres në periudhën në vazhdim kjo shumicë të rritet,” – deklaroi ai.

Arritjen e shumicës së re e sqaroi direkt pas takimit edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi.

Politikani shqiptar deklaroi se për momentin marrëveshja nënkupton votëbesimin dhe rrëzimin e kësaj qeverie me votë në Kuvend. Më pas do të flitet për formimin e një qeverie të re.

“Ne si koalicion opozitar kemi dhënë nënshkrimet tona që kjo qeveri të bjerë. Për gjithçka tjetër do të varet se si do të rrjedhin proceset. Natyrisht këmbëngulim si parti dhe si koalicion që nuk do të jemi pjesë e një qeverie e cila e ndryshon kursin euroatlantik, por jemi bindur se brenda këtyre ditëve përveç këtyre 61 votave do të jenë edhe disa deputetë të tjerë dhe do të ketë shumicë të re,” – u shpreh Gashi.

Gjatë javës së ardhshme pritet që kjo nismë për rrëzimin e qeverisë të futet në procedurë parlamentare. Ndërkohë në Kuvend pritet të arrijë edhe dorëheqja e paralajmëruar e kryeministrit Zaev, i cili nuk e ka firmosur ende shkresën zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat