Dy dekada nga Marrëveshja e Ohrit, akti vlerësohet si udhërrëfyes i paqes dhe stabilitetit

Maqedonia

Dy dekada nga Marrëveshja e Ohrit, akti vlerësohet si udhërrëfyes i paqes dhe stabilitetit

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 14:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Krerët institucionalë në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001 në mes te shqiptarëve dhe maqedonasve, ka siguruar ardhmërinë e qetë te qytetarëve në ketë vend dhe ka ndihmuar ne zhvillimin e mëtejmë të shtetit. Dy dekada pas nënshkrimit të saj, Marrëveshja e Ohrit mbetet një prej dokumenteve kryesore për Maqedoninë e Veriut, e cila vlerësohet të ketë dhënë kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në vendin fqinj.

Në shënimin e 20 vjetorit të kësaj marrëveshje, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski tha se pavarësisht kritikave, askush nuk mund te gjejë alternativë më të mirë se Marrëveshja e Ohrit.

Pendarovski: S’kam ndryshuar qëndrim për Marrëveshjen e Ohrit

“Në 20 vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë ndryshim në qëndrimin tim për marrëveshjen: domethënë, atëherë dhe sot, unë mendoj se ishte përgjigja më e mirë e mundshme e udhëheqjes politike ndaj sigurisë së brendshme të asaj kohe, kontekstit politik dhe historik. Një argument i fortë në mbështetje të kësaj teze është se edhe atëherë dhe sot, edhe kritikët më të ashpër nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë tjetër të zbatueshme”, tha Pendarovski.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, që ishte në këtë detyrë kur ndodhi marrëveshja, tha se duhet vëmendje e vazhdueshme për themelet që iu vunë shtetit të Maqedonisë së Veriut në atë kohë.

Robertson: Përkushtim i madh për Marrëveshjen e Ohrit

“Te gjithë duhet të jemi falënderues por shumë më tepër sepse kjo marrëveshje nuk ishte dhënë nga ndonjë frymë por nevojitej shumë punë e përkushtuar dhe e vështirë, ende duhet shume punë, ajo nuk ishte fundi po fillimi, ishte fotografi e mrekullueshme e historisë së një vendi, duhet vëmendje konstante për themelet që ju vunë shtetit në atë kohë, dhe çdo herë duhet të forcohen”, tha Robertson.

Robertson tha se më 2001 u bë një fund unik i një konflikti, duke vënë firmën në marrëveshje. Megjithatë, ai çoi mesazhin për angazhim për mirëqenien e njerëzve në Maqedoninë e Veriut.

Robertson: Njerëzit duan punë e mirëqenie

“Asnjëherë nuk duhet të harrohet se shoqëritë prosperuese janë shoqëri të lumtura kurse vendet miqësore janë vende të mira. Janë shumë marrëveshje gjatë historisë, por flas si dikush i cili ka qenë pesë herë në pozitë i zgjedhur, dhe mund të them qe njerëzit duan punë, arsim e mirëqenie për fëmijët e tyre. Kjo duhet të jetë një hap përtej Marrëveshjes së Ohrit dhe ky është obligim ndaj tyre”, shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se Marrëveshja e Ohrit ishte udhërrëfyesi më i mirë për paqe dhe stabilitet.

Xhafer: Procesi vazhdon deri në anëtarësimit në NATO e BE

“Procesi vazhdon, sfidat nuk shteren dhe rrugëtimi ynë si shtet do të rrumbullakohet atëherë kur të përmbushim edhe përcaktimin dhe qëllimin tonë të dytë strategjik si vend, respektivisht, pas anëtarësimit të plotfuqishëm në Aleancën e NATO-s, të fillojmë edhe negociatat me Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të datës për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Dhe, përsëri, asgjë nuk përfundon këtu. Kujdesi dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive, natyrisht edhe përmbushja e obligimeve të çdo një qytetari në vend mbetet tani e përgjithmonë. Prioriteti i parë, i dytë dhe i fundit i të gjithëve ne”, tha kryekuvendari Xhaferi.

Kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Zoran Zaev tha se me këtë marrëveshje u sigurua ndërtimi i mëtejmë i shtetit.

Zaev: Marrëveshja e Ohrit ishte garanci për paqe

“Marrëveshja e Ohrit që u nënshkrua në partneritet SHBA, NATO dhe OSBE i dha fund konfliktit i cili për fat të keq kishte edhe viktima por sot mund të themi që është garanci e paqes të cilën pastaj e avancuam duke krijuar një komunitet ku qytetarët kanë tolerancë të ndërsjellë. Maqedonia e Veriut është mozaik i mrekullueshëm i komuniteteve të ndryshme etnike, duke respektuar këto karakteristika dhe duke e forcuar institucionalisht shtetin tonë i vendosem themelet e Maqedonisë së Veriut si shoqëri e barabartë”, tha Zaev.

Sot bëhen 20 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe ishte kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat