Negociatat për Kodin Zgjedhor janë pezulluar deri në një klimë më të favorshme

Maqedonia

Negociatat për Kodin Zgjedhor janë pezulluar deri në një klimë më të favorshme

Më: 1 maj 2021 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Partitë politike pjesëmarrëse në grupet e punës për Kodin zgjedhor nuk japin detaje deri ku janë negociatat prej të cilave pritet epilog për disa ndryshime eventuale. Alsat madje mëson se negociatat aktualisht janë pezulluar dhe nuk ka te caktuara takime të reja. Mes ndryshimeve eventuale që kanë hyrë në rrethin e diskutimit janë ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi, sistemi preferencial me lista të hapura për zgjedhjet lokale, një rreth zgjedhor për kryetarët e komunave, ndryshim i rregullave të votimit në diasporë dhe financimi i fushatës. Dispozitat që rregullojnë heshtjen zgjedhore, nuk janë në mesin e temave që pritet të negociohen, konfirmuan partitë për Alsat. Megjithatë këto dispozita janë problematike në disa aspekte. Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillimin e mediave thotë se mediave do të duhet t’u lejohet informimi i paanshëm për aktivitetet politike edhe gjatë heshtjes zgjedhore.

 “Mendoj se mediat do të duhet të kishin liri të informonin për ngjarje dhe sjellje, për veprime që ndërmarrin organizuesit e fushatave zgjedhore edhe gjatë heshtjes zgjedhore dhe kjo të konsiderohet e pranueshme. Ajo që duhet të definojmë është se cila sjellje e mediave do të konsiderohej si thyerje e heshtjes zgjedhore dhe kjo do të nënkuptonte pjesëmarrje aktive të mediave dhe redaksive në fushatë, në kuptimin e mbështetjes së një partie politike- deklaroi Dejan Georgievski, ekspert, Qendra për zhvillimin e mediave .

 Në të kundërt thotë ai, kufizohet e drejta e qytetarëve për të qenë të informuar dhe e drejta e mediave për të bërë punën e tyre.

 “Absolutisht. Nëse mediat nuk informojnë për një sjellje të caktuar të organizatorëve të fushatave politike, të atyre që agjitojnë të votohet për to, për politikat e tyre dhe kandidatët e tyre, atëherë qytetarët dhe organet e caktuara që ndjekin dhe eventualisht sanksionojnë sjellje të caktuara, shumë vështirë do të kuptojnë që diçka e tillë ka ndodhur- pohoi Dejan Georgievski, ekspert, Qendra për zhvillimin e mediave .

 Përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve janë pjesë e grupeve të punës. Sa u takon dispozitave për heshtjen zgjedhore, ata vlerësojnë se ka nevojë për më shumë analiza.

 Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

“Në këtë temë duhet të mendohet në më shumë këndvështrime dhe të anketohen më shumë aktorë në shoqëri. Është e vërtetë se në situata të caktuara mund të ketë dyshime rreth të drejtës së qytetarëve për t’u informuar por gjithashtu se kjo do të mund të ishte objekt i keqpërdorimeve politike. Në periudhën e ardhshme, me shqyrtimin e përvojave edhe të vendeve demokratike sigurisht do të kishim një pasqyrë më të qartë për nevojën e ndryshimit të ligjeve në këtë drejtim.”

Heshtja zgjedhore bëhet gjithmonë e më e kontestueshme për shkak të zhvillimit të rrjeteve sociale. Në kushte të këtilla dispozitat mbi heshtjen zgjedhore rëndojnë vetëm mbi mediat tradicionale dhe jo mediat më të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat