Me takimin me Micotakisin, Osmani e përfundoi vizitën njëditore në Athinë

Maqedonia

Me takimin me Micotakisin, Osmani e përfundoi vizitën njëditore në Athinë

Më: 15 janar 2021 Në ora: 08:40
Kiriakos Micotakis, Osmani

Marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi ekonomik, por edhe implementimi i Marrëveshjes së Prespës, ishin tema për të cilat biseduan kryetari i Qeverisë së Greqisë, Kiriakos Micotakis dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas kumtesës nga kabineti i kryeministrit grek.

“Gjatë takimit, temë kryesore e bisedimeve ishte rrjedha e marrëdhënieve bilaterale, e posaçërisht zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndërlidhja e dy vendeve. Gjithashtu, u bisedua edhe për perspektivën evropiane të vendit fqinj. Në këtë kontekst, Kiriakos Micotakis nuk hezitoi të bëjë publike nevojën imperative për zbatim të plotë, konsekuent dhe qëllimmirë të Marrëveshjes së Prespës”, kumtuan nga kabineti i kryeministrit grek.

“Duke e rrumbullakësuar vizitën time në Greqi me diskutim të frytshëm me kryeministrin grek. Rëndësia e riafirmuar e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe përkushtimit ndaj implementimit të plotë të Marrëveshjes për partneritet strategjik. me padurim presim ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë në të gjitha sferat e interesit të përbashkët”, shkroi shefi i diplomacisë në “Tuiter” pas takimit me Micotakisit.

Mu me këtë takim, Osmani e përfundoi vizitën zyrtare njëditëshe në Athinë, për të cilën nga MPJ kumtojnë se ishte e suksesshme dhe “përmes Agjendës së stërmbushur dhe ambicioze, i riafirmuan angazhimet për intensifikim dhe thellim të bashkëpunimit të afërt dhe riafirmim të procesit të ndërtimit mes dy vendeve si shembull për marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon”.

Shefi i diplomacisë dje pasdite u prit nga presidentja greke, Katerina Sakelaropulu me të cilën biseduan për përparimin e marrëdhënieve bilaterale sipas Marrëveshjes së Prespës, situata në rajon dhe perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut.

Nga pallati presidencial, Omani u nis për në takim me kolegun e tij grek, Nikos Dendias me të cilin nënshkroi tre memorandume për mirëkuptim, një në sferën e mbrojtjes civile, tjetri për edukim diplomatik dhe memorandumi mes “Invest North Macedonia” dhe “Enterprise Greece”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, e cila për shkak të masave për mbrojtje nga Kovid-19 u mbajt me numër të kufizuar të gazetarëve, Osmani dhe Dendias cekën se ekziston përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Greqia tashmë janë partnerë strategjikë.

Folën edhe për mbledhjen e dytë ndërqeveritare që duhet të mbahet në periudhën në vijim, varësisht nga rrjedha e pandemisë.

Osmani u takua edhe me shefin alternativ të diplomacisë greke, Militiadis Varviciotis, me të cilin biseduan për perspektivën evropiane, si të rajonit, ashtu edhe të vendit tonë.

Për takimet në Athinë me Sakelaropulu, Micotakis, Dendias dhe Varviciotis nga MPJ kumtuan se bisedimet u kahëzuan drejt dinamizimit të marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve përmes implementimit të përkushtuar të Marrëveshjes për partneritet strategjik  (Prespa), me qëllim të zhvillimit dhe përforcimit të partneritetit të përbashkët strategjik.

“Vetëm me përpjekje të përbashkëta mundemi partneritetin strategjik ta shndërrojmë  në miqësi afatgjate dhe stabile, që si vende – fqinje me siguri do të sjellë jetë më të mirë për qytetarët e të dy vendeve. Në rajon, fituam realitet të ri, dëshmuam se të gjitha sfidat munden me efikasitet të zgjidhen përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe koordinuese. Nga këtu, unë fuqishëm besoj se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është definitivisht fuqi e re integruese për tërë rajonin”, theksoi Osmani.

Në takime, siç kumtojnë nga MPJ, u theksua edhe angazhimi i deritanishëm aktiv i Greqisë në pjesën e  integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut, me ç’rast u potencua se vendi mbetet mbështetësja jonë konsekuente, një nga lobistet dhe promovueset kryesore në këtë proces, që është në interes të të dy shteteve, por edhe me rëndësi kyçe për tërë rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat