2020 në retrospektivë: Ngjarjet më të rëndësishme të vitit në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

2020 në retrospektivë: Ngjarjet më të rëndësishme të vitit në Maqedoninë e Veriut

Më: 1 janar 2021 Në ora: 08:46
Ilustrim

Në vitin 2020, bota u përball me një pandemi të pazakontë për shekullin XXI, pa u kursyer gjithashtu nga krizat ndërkombëtare dhe trazirat shoqërore. Viti që lam pas kaloi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kufizimin e lëvizjes,  mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me vendime të rëndësishme si anëtarësimi i vendit në NATO dhe ngjarje të tjera.

3 janar – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 101 vota për dhe asnjë kundër ka votuar Qeverinë teknike, e cila pritej të funksionojë në 100 ditët e ardhshme, apo deri në zgjedhjet e parakohshme që ishin të dakorduara të mbahen më 12 prill. Qeveria do të drejtohet nga Oliver Spasovski, ministër i deriatëhershëm i Punëve të Brendshme, i cili në fjalimin para deputetëve  paraqiti programin e punës së kabinetit të tij që prioritet kryesor do të ketë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

24 janar – Në këtë ditë Shkupin e viziton Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.  Ai ka deklaruar në Shkup se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se këtë mesazh e ka përcjellë në të gjitha takimet me drejtuesit e shtetit, presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Oliver Spasovski.

16 shkurt – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut është shpërndarë me votat e të gjitha partive politike në pushtet dhe opozitë, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 12 prill. Zgjedhjet ishin paralajmëruar që në tetorin e vitit 2019 nga ish-kryeministri, Zoran Zaev pasi Maqedonia e Veriut në samitin e Bashkimit Evropian nuk arriti të marrë datën e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

26 shkurt – Rasti i parë me koronavirus është regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimeve zyrtare bëhet fjalë për një grua e cila ishte kthyer para dhjetë ditësh nga Italia. Ajo ishte paraqitur në klinikën për sëmundje infektive në Shkup për të kërkuar ndihmë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u tha gazetarëve se pacientja e moshës 50 vjeçe ishte mjekuar në Itali por atje nuk i kishin bërë test për koronavirus.

1 mars – Arrihet koalicioni i parë parazgjedhorë maqedono-shqiptarë mes LSDM-së dhe Lëvizjes BESA për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.

10 mars – Është rritur në 7 numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri në Maqedoninë e Veriut. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore në nivel vendi për dy javë.

13 mars – Partitë dorëzojnë listat me kandidatët për zgjedhjet e 12 prillit. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill do të marrin pjesë 15 parti politike dhe koalicione me 1598 kandidatë të mundshëm për përbërjen e ardhshme parlamentare që numëron 120 deputetë, ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

17 mars – Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që ishin paraparë të mbahen më

27 mars – Më 27 Mars 2020 Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30-të me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ëndrra dhjetëvjeçare është një realitet. Përpjekjet ka dhënë fryt. Vendi në paqe, siguri dhe prosperitet. Shteti i barabartë midis të barabartëve. Së bashku me më të fuqishmit!

12 prill – Pas takimit të mbajtur nën organizim të presidentit, Stevo Pendarovski, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve, Zaev tha se do të vendoset pas normalizimin të gjendjen me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

18 mars – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme si masë për përballje me koronavirusin.

21 mars –  Qeveria sjell vendim për kufizim të lëvizjes prej 21:00 deri 6:00 si masë kundër koronavirusit.

23 prill – Disiplina në respektimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit është çelësi i suksesit për të luftuar infeksionin nga ky virus, theksojnë nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut duke komentuar masat e fundit të qeverisë, me ç`rast qytetarët detyrohen të mbajnë maska mbrojtëse edhe në ambientet e hapura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

21 maj – Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut sërish është vënë në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, për mungesë të profesionalizmit dhe të efikasitetit mbi proceset gjyqësore. Kjo konstatohet në raportin më të ri të misionit të OSBE-së në Shkup mbi fatin e lëndëve gjyqësore të ish-Prokurorisë Speciale.

24 maj – Në xhamitë e Maqedonisë së Veriut, besimtarët myslimanë, falën namazin e Fitër Bajramit. Por, ndryshe nga herë të tjera, për shkak të pandemisë së koronavirusit, besimtarët kishin të vendosur në fytyrë maska dhe u detyruan që të mbajnë distancë nga njëri-tjetri.

27 maj – Në Maqedoninë e Veriut është hequr ora policore, përkatësisht u hoqën ndalesat për lëvizjen e qytetarëve, që ishin vendosur si masa për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

8 qershor –  BDI inicon idenë për Kryeministër Shqiptar

12 qershor – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka vendosur të mos e vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme e cila përfundon më 13 qershor, me çka i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

15 qershor – Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë marrë vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 15 korrik.

18 qershor – Ish-kryeprokurorja speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva është dënuar me 7 vjet burgim, lidhur me akuzat për përfshirje në rastin e njohur “Reketi”, të marrjes ryshfet të 1.5 milion euro nga një biznesmen për t’i mundësuar atij lehtësira në një proces gjyqësor që po zhvillohej kundër tij.

20 qershor – Për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, fushata elektorale e partive politike në Maqedoninë e Veriut, pritet të zhvillohet kryesisht në rrjetet sociale, apo në tubime të vogla informative, në bazë të protokollit që tashmë është miratuar nga Komisioni i sëmundjeve infektive.

15 korrik – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut (KSHZ), ka shpallur të mbyllura votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar nga ora 07.00 deri në orën 21.00.  Në këto zgjedhje LSDM fitoi 46 deputet, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, AAA-ASH 12, Levica 2 dhe PDSH 1.

4 gusht – E mart, më 4 gusht, u konstituua Kuvendi i ri i Maqedonisë së Veriut, ku u verifikuan deputetët e rinj që fituan mandatet në zgjedhjet e 15 korrikut. Seanca konstitutive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk është mbajtur si zakonisht në sallën plenare, por në sallën e madhe të kupolës, ku janë siguruar kushte për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për frenimin e përhapjes së koronavrusit.

13 gusht – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka nominuar kryetarin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Zoran Zaevin, si kandidat për kryeministër të ri të këtij vendi. Në bazë të Kushtetutës, Zoran Zaev ka afat prej 20 ditëve që të paraqesë përbërjen e re qeveritare për votim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

18 gusht – Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

21 gusht – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 62 vota për, ka rizgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të institucionit ligjvënës, me propozim të partive të shumicës parlamentare, LSDM dhe BDI.

30 gusht – Me 62 vota “për”, 51 “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur” u zghodh qeveria e Maqedonisë së Veriut me kryeministër Zoran Zaev.

16 shtator – Bullgaria po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian, që në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

7 tetor – Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka prezantuar në Shkup raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, që përmban kryesisht vlerësime të mira për punën që ka bërë vendi në drejtim të përmbushjes së reformave, por edhe për atë që duhet bërë për të arritur qëllimin e saj, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

10 nëntor – Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, u pajtuan që të fuqizojnë lidhjen mes tyre. Në samitin e Sofjes, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, e që u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.

16 nëntor – Sofja konfirmon veton, akuzon Shkupin për nxitje të urrejtjes.Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, kanë zbehur optimizmin për një marrëveshje me Bullgarinë, një ditë para mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do bisedohet mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më e sigurt se vendi nuk do të mund ta evitojë veton nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, Zaev la të shpresohet se konferenca e parë ndërqeveritare ndoshta do të mbahet deri në fund të vitit.

26 nëntor – Në Maqedoninë e Veriut ka nisur debati për dekriminalizimin dhe legalizimin e marihuanës, pas deklaratës së kryeministrit, Zoran Zaev, se Ohri dhe qendrat e tjera turistike në vend duhet të mendojnë seriozisht të ndjekin shembullin e Amsterdamit, kur bëhet fjalë për përdorimin e marihuanës, në mënyrë që të zhvillohen dhe ngritet turizmi në nivelin evropian.

9 dhjetor – Ekonomia e Maqedonisë së Veriut hyn në recesion

16 dhjetor – Presidenti Pendarovski mbanë fjalim para deputetëve. Maqedonia e Veriut është shtëpi e përbashkët për të gjithë ne ku nuk ka ndarje, tha kreu i shtetit, Stevo Pendarovski në fjalimin e tij vjetor para Kuvendit duke komentuar qasjen e shqiptarëve në çështjet që tangojnë identitetin maqedonas. “E them me përgjegjësi, sepse jam dëshmitar në këto procese më shumë se 20 vite qysh në vitet e 90-ta kur bisedonim me Greqinë, se faktori politik shqiptar edhe kur ka qenë në pushtet edhe në opozitë, gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur sjellje skajshmërisht korrekte dhe mirëkuptuese në përpjekjet tona për ruajtjen dhe promovimin identitetin maqedonas”, deklaroi presidenti Pendarovski duke shtuar se vendi edhe përkundër vetos bullgare do të vazhdojë rrugëtimin evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat