I gjatë, apo i shkurtër? Dilema njerëzore nga seksi deri te paratë

Life style

I gjatë, apo i shkurtër? Dilema njerëzore nga seksi deri te paratë

Më: 1 tetor 2015 Në ora: 18:29

Gjatësia juaj është një fakt i thjeshtë biologjik, për të cilin keni mundësi të bëni pak për ta ndryshuar.

BBC kërkon përmes dëshmive të tregojë impaktin e gjatësisë në çdo fushë të jetës: nga joshja seksuale e deri tek llogaria bankare.

Paraja dhe pushteti

Me gjatësinë 193 cm, Abraham Lincoln do të ngjante si një kullë e lartë përballë Barack Obama-s. Një studim i fundit tregon se ka një lidhje: Sa më i gjatë të jetë kandidati, aq më shumë vota mund të marrë. Përtej garës për Shtëpinë e Bardhë, meshkuj dhe femra të gjatë kanë treguar se janë më dominues, të shëndetshëm, inteligjentë dhe me më shumë gjasa për t’u zgjedhur në punë konkurruese. Ata gjithashtu fitojnë më shumë para. Mbase ne natyrisht e lidhim gjatësinë me “madhështinë” e “dominancën” – dy tipare që janë të rëndësishme për udhëheqjen. Por gjatësia gjithashtu është reflektim i ushqimit që ke konsumuar kur je fëmijë. Jo gjithmonë ‘gjigantët’ janë në mesin e njerëzve më të suksesshëm, kujtojmë Uinston Çërçill dhe Martin Luter King. Por në bazë, njerëzit më të gjatë të lënë impresion më të madh.

Verdikti: Është më e lehtë për njerëzit më të gjatë të komandojnë.

Tërheqja seksuale

Meshkujt e gjatë kanë tendencën të jenë më joshës. Studim pas studimi është vërtetuar që meshkujt dhe femrat më të gjata konsiderohen më tërheqës. Gjatësinë e një personi mund ta dallosh edhe nga fytyra. Por edhe pse ato konsiderohen si supermodele, femrat e gjata nuk e gëzojnë të njëjtin avantazh në takimet me meshkujt, sepse ata preferojnë një gjatësi mesatare për femrën. Një studim i kohëve të fundit ekzaminoi gjykimet e një femrës rreth gjatësisë së penisit të një mashkulli. Çuditërisht, sa më i gjatë një mashkull, aq më e rëndësishme dukej të ishte përmasa e penisit të tij për të përcaktuar tërheqjen. Kjo sepse meshkujt me shtat të lartë rritin pritshmëritë e femrave.

Verdikti: Njerëzit më të gjatë duken e se e fitojnë më lehtë garën e takimeve, por jo gjithmonë kjo përkthehet në sukses.

Sport dhe atletikë

Mjafton të shihni një fushë basketbolli për të kuptuar që gjatësia ka avantazhe më të mëdha në shumë evente. Gjymtyrët më të gjata e përshkojnë fushën më shpejt. Kur je më i gjatë se kundërshtari mund të shohësh se ç’ndodh përtej tij, kështu e ke më të lehtë për të pasuar topin. Por ka raste kur edhe trupi i vogël është bonus. Sepse duhet më pak kohë që impulsi nervor të përshkojë gjatësinë nga truri te gjymtyrët, duke bërë që reagimi të jetë më i shpejtë dhe më i shkathët. Kjo i ka ndihmuar mjeshtrin e arteve marciale Jackie Chan. Njerëzit me trup më të vogël rrotullohen më shpejt në çdo lloj sporti.

Verdikti: Një barazim i qartë. Kjo më pas varet nga lloji i sportit

Ngathtësia

Mendojeni trupin tuaj për një moment si një makinë: në aspektin mekanik, sa më e madhe të jetë, aq më e vështirë është që të ngadalësohet nëse të duhet të shmangësh një përplasje. Dhe sigurisht, njerëzit e shkurtër ndodhen më afër tokës kur rrëzohen. Sipas një vlerësimi, dikush që është 20% më i gjatë ka dy herë më shumë energji kinetike gjatë një rënieje. Kjo ndoshta shpjegon pse njerëzit më të gjatë kanë më shumë gjasa të vuajnë nga dëmtimet gjatë jetës së tyre.

Verdikti: Njerëzit e shkurtër janë më pak të prirur ndaj aksidenteve (fizike) se sa njerëzit shtatlartë.

Jetëgjatësia dhe shëndeti

Villagrande Strisaili në Sardenjë njihet si një nga vendet që ka përqindje të lartë të 100-vjeçarëve në Europë. Ndërsa ndikojnë shumë faktorë si dieta mesdhetare apo jeta e gjallë sociale, një arsye është që njerëzit anojnë nga të shkurtrit, me një mesatare prej 160 cm për meshkujt e moshuar. Kjo është surprizuese. Kur faktorë të tjerë si dieta apo kujdesi shëndetësor janë marrë në konsideratë, njerëzit më të gjatë duken se vuajnë kur moshohen. Sa më i gjatë të jesh, aq më shumë qeliza ke në trup, duke rritur rrezikun që mutacionet mund të shkaktojnë kancer. Një trup më i madh djeg më shumë energji. Përsa i përket këtyre njerëzve në Sardenjë, njerëzit më të shkurtër kanë tendencën të jetojnë 2 vjet më shumë se sa ata të gjatët.

Verdikti: Një trup më i shkurtër do të thotë jetëgjatësi më të gjatë.

Lumturia

Pavarësisht rreziqeve të vogla me shëndetin, gjatësia ka një avantazh më të madh: Studime të shumta kanë treguar se sa më i gjatë të jesh, aq më i lumtur dhe i kënaqur je me jetën. Kjo, sepse gjatësia juaj ndikon në perspektivat e karrierës dhe ju ndihmon të fitoni më shumë para, duke nënkuptuar që për njerëzit e gjatë, jeta është më e lehtë.

Verdikti: Sa më i gjatë të jesh, aq më i lumtur je.

Por ka shumë përjashtime që thyejnë rregullat. Nuk janë vetëm përmasat e trupit që përcaktojnë fatin e njeriut, por mënyra se si ju e përdorni atë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat