Këshilla për një shtëpi perfekte përpara pushimeve

Life style

Këshilla për një shtëpi perfekte përpara pushimeve

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 14:18

Përpara se të niseni me pushime, është e rëndësishme të sistemoni shtëpinë në mënyrë të përshtatshme që, pasi të ktheheni, të jeni të qetë, pa shumë mendime në kokë.

Në fakt, fundi i pushimeve është një moment pak a shumë i trishtë, të mendoni pastaj se do të duhet të duroni edhe rrëmujën në shtëpi, papastërtitë ose surpriza të tjera të pakëndshme. Kjo nuk është aspak një situatë e mirë për të përmirësuar humorin.

Ndaj, është e rëndësishme të bëni disa pastrime të nevojshme, të hidhni plehrat, të kujdeseni për frigoriferin apo edhe të lini ndonjë surprizë të kënaqshme “anti-trishtim” për një kthim të bukur.

Çfarë mund të bëni për ta lënë shtëpinë në mënyrë perfekte?

Më parë bëni gati të gjitha valixhet.

Përgatitja e valixheve është kusht i nevojshëm për t’u marrë më pas me shtëpinë para nisjes. Ndaj, përpara se të pastroni, sistemoni shtëpinë, sigurohuni që të keni vënë gjithçka në valixhe. Më pas vërini pranë derës kryesore të shtëpisë me ndonjë pusullë, duke evidentuar gjërat e minutës së fundit të cilat mund t’i harroni në shtëpi.

Frigoriferi bosh

Nëse pushimet zgjasin rreth dy javë, nuk është e nevojshme që të shkrini komplet ngrirësin e frigoriferit (frizerin). Këtë gjë duhet ta bëni padyshim nëse pushimet do t’i bëni më të gjata.

Në çdo rast, frigoriferi duhet të boshatiset nga të gjitha ushqimet të cilat prishen shpejt, apo nga ato të cilat janë drejt skadimit. Është e nevojshme që pjesën e tij të brendshme ta pastroni me uthull molle (dezinfekton dhe aromatizon) duke lënë në të ndonjë gjysmë limoni dhe një enë me pak sodë buke.

Dyshemeja e pastruar

Për të parandaluar shfaqjen e insekteve në shtëpi ndërkohë që jeni me pushime, është e nevojshme ta lini dyshemenë e pastruar. Veprimi i parë, është eliminimi i të gjithë thërrimeve, mbeturinave dhe ushqimeve mbi tokë, të mbetura nëpër cepat e shtëpisë, sidomos nëse keni fëmijë ose kafshë shtëpiake. Më pas pastrojeni dyshemenë me një pecetë me pak alkool, ose ndonjë dezinfektant tjetër, i cili mund të jetë në gjendje të heqë çdo erë të pakëndshme, edhe kur dritaret të qëndrojnë të mbyllura.

Kujdes me banjën

Një vëmendje shumë e veçantë i duhet kushtuar edhe banjës, duke e pastruar sa më mirë që higjiena të jetë në maksimumin e saj. Më pas është e këshillueshme të mbyllni kapakun e WC-së duke i hedhur më parë ndonjë detergjent zbardhues.

Ndërroni çarçafët

Pas kthimit nga pushimet, asgjë nuk do të jetë më fantastike se sa gjetja e një shtrati me çarçafë të pastër. Ndaj, para se të niseni është mirë që të ndërroni çarçafët, ndërsa mbi komodina të lini paketa aromatike prej lavandoje dhe mente.

Mendoni për lulet

Nuk mund të niseni pa menduar më parë për ujitjen e luleve gjatë gjithë periudhës së pushimeve. Zgjidhjet mund të jenë nga më të ndryshmet: një fqinj, një mik ose një i afërm, i cili mund të kujdeset duke i ujitur të paktën një herë në ditë; mund të siguroni edhe një sistem ujitës të pavarur.

Një dhuratë ngushëllimi

Përpara nisjes blini një dhuratë të vogël për veten: një palë vathë, një parfum ose një peshqir të ri për banjo. Vërini mbi krevat për t’i kujtuar. Në këtë mënyrë, fundi i pushimeve do të jetë më pak i dhimbshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat