Përse Islanda liberale do të ndalojë pornografinë online?

Life style

Përse Islanda liberale do të ndalojë pornografinë online?

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 17:26

Në përballje me të, Arabia Saudite dhe Islanda pak gjëra kanë të përbashkëta. Në raportin e Forumit Ekonomik Botëror mbi Dallimet Gjinore Globale, 2012, i cili krahason progresin e bërë drejt barazisë gjinore në 135 vende të botës, Arabia Saudite renditej te vendi i 131-të, ndërsa Islanda, një vend me 322,000 banorë, kryesonte listën.

Ndërkaq, propozimi islandez për të nxjerrë jashtë ligjit pornografinë online, e rendit atë vend në krah të Arabisë Saudite, ku gratë nuk lejohen të ngasin makina, të udhëtojnë pa lejen e bashkëshortit, apo u nënshtrohen kufizimeve në lidhje me të drejtën e votës. Përse pra Islanda liberale dëshiron ta ndalojë pornografinë online?

Ndalimi që propozon Islanda mund të shihet si një vazhdim i një legjislacioni të mëparshëm për rregullimin e industrisë së seksit. Në vitin 2009, ajo aplikoi gjobëvënien dhe burgimin për ata që kryenin funksionin e tutorit ndaj prostitutave ( megjithëse jo ndaj vetë prostitutave, të cilat ligji i shihte si viktima). Në 2010, ajo nxori jashtë ligjit klubet e striptizmit. Ndërsa shitja dhe shpërndarja e pornografisë në Islandë ka qenë ilegale qysh nga viti 1869 në fakt.

Kryeministrja e parë lesbike

Arsyeja kryesore që fshihet pas këtij propozimi, mund të duket disi paradoksale: është rezultat i faktit se Islanda është një vend tejet liberal. Vendi drejtohet nga kryeministrja e parë e shpallur hapur si lesbike, ndërsa 65% e fëmijëve në Islandë, kanë lindur jashtë martese (më shumë se çdo vend tjetër në botë). Fëmijët atje marrin edukim seksual qysh herët nëpër shkolla. Mini-vibratorët dhe kondomët shiten lirisht nëpër kasat e supermarketeve.

Bashkë me Norvegjinë dhe Suedinë, Islanda ka njërën ndër përqindjet më të mëdha të regjistrimit të femrave në institucionet e arsimit të lartë (gratë i tejkalojnë meshkujt në raportin 3:2). Diferencat në rroga mes grave e burrave, janë prej më të ulëtave në botë dhe përqindja e pjesëmarrjes së grave në forcën e aftë për punë është gjithashtu nga më të lartat.

E renditur pak pas Finlandës, dhe në të njëjtën kohë edhe pas Danimarkës, Islanda ishte njëra nga vendet e para në botë që u dha të drejtën grave për të votuar në vitin 1915. Lëvizja e fuqishme feministe në Islandë tashmë po drejton fushatën për ndalimin e pornografisë në rrjet, e sidomos atë të dhunshmen apo degraduesen, që drejtohet më së shumti ndaj grave e femrave.

Ndalimi do të jetë i vështirë

Ndalimi i pornografisë online, megjithatë do të jetë e ndërlikuar. Përkufizimi i termit “pornografi e dhunshme apo degraduese”, duhet të sqarohet mirë në ligj. Islanda atëherë duhet të posedojë një lloj policie në internet, gjë që duket e vështirë të arrihet.

Kur Danimarka e Australia aplikuan për herë të parë listat e zeza të rrjeteve online, në një përpjekje për të ndaluar apo penguar faqet porno, disa faqe me përmbajtje “jo të dëmshme”, u futën në ato lista gabimisht.

Offline, përpjekjet e mëparshme të Islandës për të zotëruar industrinë e seksit, kanë njohur ndërkaq disa rezultate mikse: megjithëse janë mbyllur tashmë vetëm dy nga 15 klubet e striptizës në vend, vetëm 20 raste të lidhura me prostitucionin kanë shkuar në gjykatë, dhe ndalimi që u bë në vitin 1869 për të shitur, apo shpërndarë pornografi, duket se nuk është zbatuar, kur sheh plot revista që shiten në kioska hapur e në ditë të diellit.

Nëse ndonjë vend mund të kalojë ndonjë ligj kundër pornografisë, Islanda është ajo që do të mund ta bëjë. Por implementimi dhe hyrja në fuqi e të tilla ligjeve, ka shumë gjasa të provohet si një mision shumë më i vështirë për t’u përmbushur sesa ç’duket.

//////////////

Islanda, një vend i mirë për të jetuar!

Islanda është një vend nordik që shtrihet mes Atlantikut të veriut dhe Oqeanit Arktik. Ka një popullsi prej 325,671 banorësh dhe një sipërfaqe prej 103,000 km2, duke e bërë atë vendin me dendësi popullsie më të vogël në Europë. Kryeqyteti dhe njëkohësisht qyteti më i madh i vendit, është Reykjavík; ndërsa zonat në jugperëndim të tij janë edhe streha e dy të tretave të gjithë banorëve të vendit. Islanda është një zonë gjeologjikisht aktive, ku vullkanet janë simbol i kësaj veprimtarie. Islanda ngrohet nga rrymat e famshme të Golfstrimit dhe ka një temperaturë që shkon tejet asaj që mund të përftohej normalisht në atë brez gjeografik që përfshin rrethi Arktik. Sipas Landnámabók, popullimi i Islandës nisi në vitin 874 p.e.s. kur kreu i fiseve norvegjeze, Ingólfr Arnarson u bë dhe i pari kolonizator permanent në atë tokë ishullore. Në shekujt në vijim, skandinavët nisën të vendoseshin masivisht në Islandë, duke sjellë me vete në atë tokë edhe skllevër me origjinë gale që ata i kapnin në Europën kontinentale gjatë fushatave të tyre plaçkitëse. Nga viti 1262 – 1918, Islanda u administrua nga kurora norvegjeze e më pas nga ajo daneze. Vendi u bë i pavarur vetëm në vitin 1918, ndërsa republikë u shpall në vitin 1944. Deri në shekullin e 20-të, Islanda varej në aspektin ekonomik thuajse tërësisht nga peshkimi dhe agrikultura. Industrializimi i peshkimit dhe “Plani Marshall” që pasoi pas Luftës së Dytë Botërore, solli edhe prosperitetin e dëshiruar, duke e renditur këtë komb në njërin ndër më të stabilizuarit e më të zhvilluarit në botë. Në vitin 2008, vendi u prek nga kriza financiare globale që bëri të dështonte i gjithë sistemi bankar që rezultoi në destabilitet politik. Por hapat e ndërmarrë nga qeveritë në vijim, kanë bërë që të rifitohet besimi i institucioneve ndërkombëtare e të rimëkëmbet sërish ekonomia. Përtej tyre, angazhimi i hershëm islandez në çështjet e solidaritetit human global, atij social e paqeruajtës, e kanë bërë këtë vend prej dekadash të gëzojë një imazh tejet pozitiv e të vlerësohet si njëri ndër vendet më të dëshiruara për të jetuar, me një shkallë të theksuar liberalizmi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat