Këshilla për t’u nisur lehtësisht me pushime

Life style

Këshilla për t’u nisur lehtësisht me pushime

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 22:43

Ëndërroni të shkoni në plazh dhe të shijoni detin në relaks të plotë, të shtriheni përballë një pishine, të “humbisni” mes gjelbërimit të fshatit, apo të ngjiteni në mal dhe të thithni ajrin e pastër?! Por menjëherë dyshimi “zvarritet”, ndërsa pyesni veten se si mund të lini në shtëpi “bagazhet” e mendimeve të një viti dhe të niseni lehtësisht me një palë syze dielli, shapka, kapele dhe një libër? Ja lista e këshillave për të shijuar pushimet.

Përfundoni gjithçka që keni filluar para se të niseni

Nëse keni për të bërë ndonjë takim, për të paguar bileta, fatura etj., është mirë që të çliroheni prej tyre përpara se të niseni me pushime. Mendimi i gjërave të papërfunduara, ngulitet aq shumë në mendje, saqë mund t’ju ndalojë të relaksoheni.

Lëreni shtëpinë të rregulluar

Shtëpia është gjithashtu edhe një përfaqësim i botës tonë të brendshme. Sistemimi dhe pastrimi i saj ju ndihmon që të krijoni një “kornizë” të qartë mendimesh pasi të ktheheni nga pushimet. Ndërkaq, nëse do të ndiqni këtë këshillë ju do të ndiheni më të qetë dhe me më shumë energji.

Parashikoni ndryshimet e programit

Investimi emotiv mbi pushimet ndonjëherë është aq i madh saqë nuk lejon tolerimin e ndryshimeve. Për t’u nisur të qetë, është e rëndësishme të imagjinoni një “hapësirë më të gjerë” sesa e përditshmja, e cila mund të jetë e mbushur me “tema të ndryshme”. Ndaj ndihmojeni veten me ndonjë veshje më shumë për mal dhe për det, për çdo ndryshim të mundshëm.

Hartimi i një miniguide për periudhën e pushimeve

Parashikimi i ngjarjeve është një faktor kyç për të larguar ankthin dhe për të nxitur kënaqësinë e pritjes. E rëndësishme është që programi të jetë esencial, me pak pika: mbërritja, sistemimi, si dhe një ose dy destinacione gjatë qëndrimit dhe nisjes.

Nisuni me gjërat më të domosdoshme

Valixhja mban jo vetëm rrobat dhe shapkat, por edhe “çantat” emocionale që marrim nga shtëpia me pushime. Bëni një seleksionim, kjo do të thotë të manovroni me zgjedhjet, pas një përgatitje fillestare të valixhes. Përgatiteni atë një ditë përpara nisjes, ndërsa më pas rishikojeni atë për të hequr gjërat e tepërta. Kjo gjë do lehtësojë jo vetëm peshën e valixheve, por edhe të mendimeve.

Bëjani qejfin vetes/ mos u shqetësoni nëse keni harruar diçka

Ankthi i “ndarjes” e bën gjithçka të rëndësishme dhe të nevojshme. Nevoja e paarsyeshme për të marrë me vete “gjithë botën”, ndërlikon mendjen, ndërsa valixhet i tejmbush. Përqendrohuni te vetja dhe merrni parasysh nevojën për të pasur me pushime pak gjëra. Kjo do t’ju heqë “peshën” e përditshmërisë. Edhe në rast se do të mungonte diçka, përjetojeni si një okazion se si do t’ia dilnit pa të.

Relaksi nuk ia “mbath”

Mos imagjinoni se qetësia dhe relaksi “zhduken”. Kjo ide rrit ankthin e nisjes dhe shqetësimet për kthimin. E dobishme është që në valixhe të vendosni një libër të mirë, një bllok shënimesh, letra vizatimi, lapsa me ngjyra etj. Pasja e një ditari, qoftë edhe fotografik, të impenjon, të argëton, ndalon momentet, ndjesitë dhe emocionet. Ndërsa për disa të tjerë, pushimet mund të jenë mundësia për t’iu dedikuar pasionit për të shkruar.

Qëndroni të lidhur me teknologjinë

Largimi nga teknologjia jo gjithmonë ndihmon për t’u çlodhur dhe për të qenë mirë. Përdoreni kohën në dispozicion edhe për t’u shkruar miqve me të cilët i keni humbur kontaktet gjatë dimrit. E rëndësishme është që mos të hiqni “dorë” pa dëshirë nga mjetet teknologjike. Veproni ashtu si ndiheni më mirë.

Ndani rolet dhe detyrat

Nëse shkoni me pushime në grup, me miqtë, me familjen, me fëmijët etj., e rëndësishme është që të përcaktoni rolet e secilit me shumë qetësi, ndoshta edhe detyrat. Gjërat për t’u bërë janë të lodhshme fizikisht dhe mendërisht nëse imagjinojmë se duhet t’i bëjmë të gjitha vetë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat